TV LIVE
Nga Bota
12 January 2022
Izraeli arreston katër gra për spiunim

Katër gra izraelite, që kishin dërguar fotografi dhe informacione të tjera te një operativ iranian, janë akuzuar për spiunim për Iranin, tha agjencia e inteligjencës së Izraelit.

Gratë, që sipas mediave lokale janë të gjitha migrante hebreje nga Irani, po akuzohen për “krime të rënda”, tha më 12 janar agjencia izraelite për siguri, Shin Bet.

Operativi iranian, një burrë i quajtur Rambod Namdar, fillimisht kishte kontaktuar gratë përmes Facebook-ut, ku ishte paraqitur si një hebre iranian, tha Shin Bet.

Edhe pse gratë kishin dyshuar se ky person ishte operativ iranian, ato i dhanë atij informacione të inteligjencës në këmbim të parave, thuhet në njoftimin e Shin Bet. Kjo agjenci tha se në disa raste, kontaktet e grave me këtë person kishin zgjatur për vite me radhë.

Gratë dyshohet se i kishin dërguar disa fotografi këtij operativi, përfshirë edhe fotografi të misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Tel Aviv dhe Jerusalem, fotografi të një qendre votimi, të një zyre të Ministrisë së Brendshme dhe të një qendre tregtare.

Agjencia e inteligjencës tha se informacionet mund të ishin përdorur për kryerjen e sulmeve terroriste.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett përgëzoi zyrtarët e inteligjencës për parandalimin e “aktiviteteve armiqësore terroriste kundër shtetit të Izraelit”.

“Përpjekjet e Iranit për të dëmtuar sigurinë e Izraelit nuk janë të kufizuara vetëm në siguri dhe inteligjencë, por gjithashtu zgjerohen në përpjekje për të ndikuar te qytetarët e Izraelit, te shoqëria izraelite, për të mbjellë përçarje, për të minuar stabilitetin politik të Izraelit dhe për të dëmtuar besimin e publikut në Qeveri”, tha ai.



Të ndryshme
Më shumë