Zyrtarët e Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave, së bashku me zyrtarë të Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, kanë parandaluar kontrabandën e rreth 300 kilogramëve të lëndës narkotike skunk.
Ky i fundit është gjetur mëngjesin e sotëm në pikën kufitare Vraçenoviq, në një kamion frigorifer i drejtuar nga shtetasi malazez M.N. (1995) nga Nikshiqi.
Nga kontrolli i detajuar në çatinë e frigoriferit, në një depo të punuar posaçërisht, janë gjetur 295 pako me drogë, me peshë rreth 300 kilogramë, raporton rtcg.
Automjeti është dashur të vazhdojë nga vendkalimi kufitar Vraçenoviqi në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës.
“Policët kanë arrestuar një të dyshuar i cili do të dërgohet në Prokurorinë e Shtetit në Podgoricë për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve”, thuhet në njoftim e organeve policore.