Festa e Flamurit Kombëtar do të bashkojë shqiptarët edhe në mërgatë. Me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkimi Demokratik për Integrim organizon nesër në Zvicër një manifestim festiv, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti.
Nën moton “Nëntori na bashkon”, BDI ka ftuar të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, që së bashku të shënojnë një nga datat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.
Manifestimi do të mbahet në sallën Bärenmattsaal, në Suhr të Zvicrës, me fillim nga ora 18:00.
Për shqiptarët që jetojnë larg vendlindjes, 28 Nëntori mbetet një ditë e veçantë, që zgjon kujtimet, mallin për atdheun dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Mërgata shqiptare ndër dekada ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar, por edhe në zhvillimet ekonomike, arsimore dhe shoqërore në vendlindje.
Kontributi financiar i mërgimtarëve është shtrirë në fusha të ndryshme, që nga realizimi i projekteve infrastrukturore dhe mbështetja e familjeve, deri te financimi i arsimit shqip, përfshirë themelimin dhe funksionimin e Universitetit të Tetovës. Një kapitull i rëndësishëm i angazhimit të mërgatës ishte edhe mbështetja e shqiptarëve gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni.
Edhe këtë 28 Nëntor, larg atdheut, por pranë njëri-tjetrit, shqiptarët do të festojnë nën ngjyrat kuqezi, duke nderuar historinë, kujtuar sakrificat e brezave dhe dëshmuar se lidhja me vendlindjen mbetet e fortë, pavarësisht largësisë gjeografike.