Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u ka bërë thirrje shqiptarëve që këtë festë kombëtare ta kremtojnë me dinjitet, krenari dhe përgjegjësi, duke apeluar njëkohësisht për shmangien e provokimeve dhe tensioneve.
Në një komunikatë për media, BDI u ka uruar të gjithë shqiptarëve festën, duke theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date. Partia u ka bërë thirrje qytetarëve që, kudo që ndodhen, të festojnë në frymën e vlerave kombëtare dhe të mos bien pre e asnjë nxitjeje apo provokimi.
Kumtesa e plotë:
Bashkimi Demokratik për Integrim ua uron të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Në prag të kësaj feste të madhe, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që nesër, kudo që ndodhen, ta festojnë 28 Nëntorin me dinjitet, krenari dhe në frymën e vlerave tona kombëtare.
Në të njëjtën kohë, apelojmë që të mos biem pre e asnjë provokimi, nxitjeje apo skenari të mundshëm nga qarqe të caktuara, të cilat mund të synojnë të krijojnë tensione dhe të zbehin madhështinë e kësaj dite. Çdo përpjekje për ta shndërruar festën tonë kombëtare në burim tensionesh duhet të marrë përgjigjen tonë përmes maturisë, dinjitetit dhe unitetit.