TV LIVE
Nga Bota
27 November 2026
OKB ngre alarmin: El Niño dhe konfliktet rrezikojnë të thellojnë krizën e urisë në 16 zona të botës

Fenomeni klimatik El Niño dhe konfliktet e vazhdueshme pritet të përkeqësojnë pasigurinë akute ushqimore në 16 zona problematike në mbarë botën gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, paralajmëruan të premten Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP).

Agjencitë identifikuan 16 zona problematike ku parashikohet që uria të përkeqësohet ndjeshëm gjatë periudhës dhjetor 2026 – maj 2027, nga 13 zona të tilla që ishin identifikuar në vlerësimin e tyre të muajit qershor.

Afrika Jugore, Korridori i Thatë i Amerikës Qendrore dhe verilindja e Ugandës janë ndër zonat e reja të shtuara, ndërsa Çadi u përfshi për shkak të efekteve të përhapjes së konfliktit në Sudanin fqinj.

Sudani, Sudani i Jugut, Somalia, disa zona të Nigerisë dhe Jemeni mbeten pesë zonat me shqetësimin më të madh, ku konfliktet dhe dhuna e armatosur janë identifikuar si faktorët kryesorë që nxisin pasigurinë ushqimore në 12 nga 16 zonat problematike.

Agjencitë paralajmëruan për rrezikun e një zie buke në 13 zona të rajoneve Darfurin e Veriut dhe Kordofanin e Jugut të Sudanit deri në janar 2027.

Në Afrikën Jugore, thatësira dhe temperaturat më të larta, të lidhura me fenomenin El Niño, kërcënojnë prodhimin bujqësor.

Parashikohet që deri në 3 milionë njerëz në Zimbabve, 2.6 milionë në Malavi dhe 1.8 milionë në Mozambik të përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore në muajt e ardhshëm.

Sipas agjencive, financimi humanitar për sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen në pesë zonat me shqetësimin më të madh ra me 62% gjatë periudhës 2022–2025, nga 5.1 miliardë dollarë në 2 miliardë dollarë.

FAO dhe WFP bënë thirrje për ndihmë urgjente humanitare dhe qasje të sigurt te popullsitë e prekura, duke theksuar se plani i tyre i përbashkët për veprime paraprake synon të mbrojë 9 milionë njerëz në 22 vende nga efektet e mundshme të fenomenit El Niño./AA



Të ndryshme
Më shumë