TV LIVE
ShowBiz
25 November 2026
Për herë të parë një nënë fiton kurorën e “Miss Universe 2026”, 27-vjeçarja nga Porto Riko triumfon mes 117 konkurrenteve

Për herë të parë në historinë e konkursit të bukurisë “Miss Universe”, kurorën e ka fituar një nënë. 27-vjeçarja Jennifer Barreto nga Porto Riko u shpall fituese e edicionit të vitit 2026, në finalen e zhvilluar të martën në San Juan.

Barreto, e cila punon si psikologe dhe punonjëse sociale, është gjithashtu nënë e një vajze të quajtur Penelope. Ajo arriti të triumfojë mes 117 konkurrenteve nga më shumë se 110 vende, duke i dhënë Porto Rikos kurorën e gjashtë në historinë e konkursit, pas 20 vitesh pa një fitore.

Kurorën ia dorëzoi fituesja e vitit 2025, Fatima Bosch. Ajo është punuar me ar të bardhë 18-karatësh dhe zbukuruar me 3,150 diamante. Në pesëshen finaliste u renditën edhe përfaqësueset e Filipineve, Zelandës së Re, Venezuelës dhe Republikës Dominikane. Mes pjesëmarrëseve këtë vit kishte edhe 10 nëna, 22 studente pasuniversitare dhe pesë mjeke.

Edicioni i 75-të u prezantua nga Mario Lopez dhe Miss Universe 2022, R’Bonney Gabriel. Gjatë mbrëmjes u njoftua gjithashtu se Porto Riko do të jetë sërish mikpritëse e konkursit në vitin 2027. Konkursi ishte shoqëruar me polemika edhe para finales, për shkak të problemeve me vizat për disa konkurrente nga vendet afrikane dhe incidenteve gjatë provave në një pistë të improvizuar në plazh. Ndërkohë, Miss Universe France u transportua me karrocë pas një dëmtimi gjatë përgatitjeve.



Të ndryshme
Më shumë