Shoqata “Zajazi” në Zvicër, krahas organizimit të festave kombëtare dhe ruajtjes së traditave shqiptare në mërgatë, ka pasur gjithmonë një qëllim të veçantë: të mos harrojë dhe të vlerësojë njerëzit e vendlindjes, ata që me sakrificën, punën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë në historinë dhe jetën e komunitetit.
Kësaj radhe, në kuadër të festës së Flamurit, e cila do të organizohet në Zvicër, Shoqata “Zajazi” ka zgjedhur të nderojë bashkëvendësin e tyre, ish të burgosurin politik dhe veprimtarin kombëtar, Muadin Bajrami.
Muadin Bajrami është një nga ata njerëz që një pjesë të jetës ia kushtoi çështjes kombëtare, duke u burgosur nga ish sistemi monis për idealet dhe bindjet e tij. Por kontributi i tij nuk u ndal vetëm te angazhimi kombëtar. Ai ishte gjithmonë pranë vendlindjes dhe njerëzve të saj, duke u përfshirë në shumë iniciativa dhe projekte me rëndësi për Zajaz Teqen.
Nga ndërtimi i shkollës e deri te ndërtimi i xhamisë dhe realizimi i projekteve të tjera infrastrukturore, Muadin Bajrami ishte ndër ata bashkëvendës që nuk kursyen mundin dhe angazhimin për të mirën e fshatit.
Pas lirimit nga burgu, ai vazhdoi rrugëtimin e tij politik në Partinë për Prosperitet Demokratik, partinë e parë shqiptare pas vendosjes së pluralizmit politik, ku më vonë ushtroi edhe detyrën e nënkryetarit të Komunës së Kërçovës.
Dashuria dhe përkushtimi i tij për vendlindjen dhe interesat e shqiptarëve të Kërçovës kanë vazhduar edhe më vonë. Ai ishte aktiv edhe në periudha të rëndësishme politike, duke bërë thirrje për bashkim dhe mobilizim qytetar, me qëllim që Kërçova të vazhdojë të udhëhiqet nga shqiptarët.
Pikërisht për këtë rrugëtim, për sakrificën, për punën dhe për kontributin e dhënë ndër vite, bashkëvendësit e tij në Shoqatën “Zajazi” në Zvicër kanë vendosur që këtë vit ta kenë mysafir dhe ta nderojnë në festën e Nëntorit.
Sepse njerëzit që kanë dhënë për kombin dhe vendlindjen meritojnë të kujtohen, të respektohen dhe të nderohen. Dhe kjo është një nga vlerat më të bukura që mund të ruajë një shoqatë: të mos harrojë njerëzit e vet dhe kontributin e tyre.