Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 dhe 28 Nëntorit, më 22 nëntor 2026, në Kërçovë do të organizohet manifestimi kulturor “Nëntori i të Rinjve”, me moton: “Historia u shkrua nga ata, e ardhmja shkruhet nga ne”.
Aktiviteti do të mbahet me fillim në ora 17:00, në Qendrën e Kulturës “Koço Racin” në Kërçovë, ku të rinjtë do të kenë mundësinë të shprehin përmes artit, kulturës dhe krijimtarisë së tyre dashurinë për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Në kuadër të manifestimit do të hapet ekspozita me temën “Ngjyrat që flasin shqip!”, ku do të prezantohen punime nga nxënësit e shkollave:
SHMK “Drita” – Kërçovë
SHF “Sande Shterioski” – Kërçovë
SHF “Rexhë Rushit Zajazi” – Zajaz
SHF “Naim Frashëri” – Tuhin
SHF “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Sërbicë
Programi do të përmbyllet me monodramën “Dy Nëntorë, një flamur”, e përgatitur nga nxënësit e SHMK “Drita”.
Manifestimi organizohet nga Organizata Kulturore “Rruga e Yjeve” dhe Organizata e Yjeve, në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës “Koço Racin” në Kërçovë.
“Nëntori i të Rinjve” synon që përmes brezit të ri të ruajë kujtesën historike, të promovojë vlerat kombëtare dhe të përcjellë te brezat e ardhshëm dashurinë për gjuhën, kulturën dhe flamurin shqiptar.