TV LIVE
Nga Rajoni
19 November 2026
Bypass-i i Tiranës, nis faza III - Detajet e projektit që lidh autostradën Tiranë-Durrës me atë Tiranë-Elbasan

Kanë nisur punimet për fazën e tretë të bypass-it të Tiranës, që do ta lidhë rrugën e re me autostradën Tiranë–Durrës në zonën e Kasharit. Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me dije se, pas mobilizimit në kantier dhe piketimit të projektit, po kryhen gërmimet për formimin e trupit të rrugës.

Kjo fazë përfshin ndërtimin e 1 km autostradë, rreth 5 km rrugë dytësore dhe një nyje me dy rrethrrotullime. Nyja do të mundësojë lidhjen me rrjetin rrugor ekzistues, ndërsa rrugët dytësore do të përmirësojnë aksesin për banorët e zonave përreth.

Në tetor, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fituese të tenderit kompaninë “Elmazaj Konstruksion”, me një ofertë prej rreth 1.38 mld lekësh. Fondi limit i procedurës ishte rreth 1.55 mld lekë.

Paralelisht me këtë fazë të re, punohet dhe në dy fazat e para të bypass-it, që shtrihen në 8.2 km dhe përfaqësojnë një investim prej rreth 5.9 mld lekësh. 

Në tërësi, bypass-i i Tiranës parashikohet të shtrihet në rreth 21.6 kilometra, duke lidhur autostradën Tiranë–Durrës me atë Tiranë–Elbasan. 

Projekti është konceptuar si një autostradë e kategorisë A, me dy korsi për secilin drejtim lëvizjeje, shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë dhe katër nyje kryesore lidhëse përgjatë gjurmës. Dokumentacioni teknik parashikon edhe ndërtimin e urave, mbikalimeve, nënkalimeve dhe rrugëve lokale, për të mundësuar lidhjen me zonat që përshkohen nga aksi i ri dhe për të përmirësuar sigurinë rrugore.

Aksi synon të devijojë trafikun tranzit jashtë kryeqytetit, duke u krijuar automjeteve që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes së vendit një alternativë për të shmangur kalimin nëpër Tiranë.



Të ndryshme
Më shumë