Në sallën e Këshillit të Komunës së Kërçovës u mbajt një takim informues dhe konsultativ lidhur me Planin Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave për Rajonin Planor të Pellagonisë dhe Rajonin Planor Jugperëndimor, për periudhën 2027–2032.
Në takim morën pjesë qytetarë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve dhe palëve të tjera të interesuara. I pranishëm ishte edhe Emil Angelov, koordinator i SALAR International, organizatë që mbështet këtë proces përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave suedeze në fushën e menaxhimit të mbeturinave.
Angelov dhe Darko Belevski nga Komuna e Kërçovës, në deklaratat e tyre për mediat, folën për rëndësinë e këtij projekti dhe nevojën për një sistem më efikas të menaxhimit të mbeturinave. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar lokacioni i saktë ku do të ndërtohet stacioni i transferimit të mbeturinave në Kërçovë.
Takimi u zhvillua në dy pjesë. Fillimisht, qytetarët, përfaqësuesit e organizatave civile dhe institucioneve patën mundësinë të përfshihen në debat, duke parashtruar pyetje, sugjerime dhe ide lidhur me planin.
Në pjesën e dytë, edhe këshilltarët komunalë paraqitën qëndrimet, idetë dhe shqetësimet e tyre lidhur me zbatimin e projektit dhe ndikimin e tij në Komunën e Kërçovës.