TV LIVE
Nga Bota
18 November 2026
Bahreini dhe Kuvajti nën sulme të reja iraniane

 Bahreini dhe Kuvajti njoftuan se janë vënë sërish në shënjestër të sulmeve iraniane, ndërsa Irani deklaroi se objektivat ishin bazat e përdorura nga forcat amerikane, në këto dy shtete të Gjirit.

Ushtria e Bahreinit bëri të ditur sot në mëngjes se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin kapur disa sulme iraniane dhe kishin shkatërruar predhat, që po afroheshin drejt territorit të vendit.

“Irani vijon veprimet e tij armiqësore, përmes sulmeve frikacake ndaj Mbretërisë së Bahreinit”, thuhej në deklaratën e Komandës së Përgjithshme të ushtrisë.

Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi dje në mbrëmje, se sistemet e mbrojtjes ajrore po neutralizonin dronë armiqësorë nga Irani. Sipas saj, përgjimet e këtyre mjeteve ajrore shpjegonin edhe shpërthimet e dëgjuara në vend.

Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se ushtria e rregullt e Iranit, kishte përdorur dronë sulmues njëdrejtimësh për të goditur pozicionet e mbrojtjes ajrore dhe lëshuesit e raketave në Kuvajt.

Sipas agjencisë, Irani kishte shënjestruar sërish edhe bazën ajrore “Sheikh Isa” në Bahrein.

Ushtria amerikane konfirmoi sot në mëngjes, se kishte goditur një objekt raketor të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar sulmin si një kundërpërgjigje.

Garda Revolucionare Islamike deklaroi se në orët e para të ditës së djeshme, kishte goditur një instalacion radarësh amerikanë në Bahrein, por ushtria amerikane mohoi pretendimet se ky objekt mund të ishte dëmtuar.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën luftën kundër Iranit në fund të shkurtit, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme në vende të ndryshme të rajonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sinjalizuar vazhdimisht, se dëshiron të shmangë rikthimin në operacione të gjera ushtarake. Negociatat mes palëve kanë mbetur në ngërç prej disa muajsh. 



Të ndryshme
Më shumë