TV LIVE
Kuriozitete
18 November 2026
Një pikturë e humbur për dekada del nga dollapi dhe shitet për 4.8 milionë dollarë

Një pikturë e artistes së njohur amerikane Georgia O’Keeffe, e cila kishte qëndruar e fshehur në dollapin e një apartamenti në Manhattan për dekada të tëra, është shitur në ankand për afro 4.8 milionë dollarë.

Vepra, e realizuar në vitin 1930 dhe e titulluar “Near Abiquiu, New Mexico I”, paraqet një peizazh të rajonit të New Mexico-s. Ekzistenca e saj ishte e njohur nga një fotografi e vitit 1931, por vendndodhja kishte mbetur mister për shumë vite.

Historia e zbulimit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e pikturës. Një grua në të 90-at i kishte treguar mbesës në vitin 2022 se kishte një pikturë të Georgia O’Keeffe në dollap. Familja beson se vepra ishte blerë nga nëna e saj në vitin 1963, për vetëm 3,800 dollarë, dhe ishte dhuruar si dhuratë për diplomimin e vajzës.

Piktura kishte qëndruar e ekspozuar në apartament deri në mesin e viteve 1980, kur pronarja vuri re interesimin e veçantë të një vizitori për të. Pas kësaj, vendosi ta fshihte pas rrobave dhe kutive, ku qëndroi për dekada.

Kur familjarët e nxorën nga dollapi këtë vit, vunë re shenjën karakteristike të artistes në pjesën e pasme të tablosë, një yll me inicialet e saj.

Vepra u shit nga shtëpia e ankandeve Christie's për 4,878,000 dollarë. Dy pikturat e tjera të serisë ndodhen në koleksione të njohura muzeale.



Të ndryshme
Më shumë