TV LIVE
Nga Vendi
16 November 2026
BDI:JO VETËM SISTEMI BANKAR POR EDHE INSULINA JEPET NË DUAR TË BOTËS SËRBE

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur dyshime lidhur me pronësinë dhe kontrollin mbi kompaninë Phoenix Pharma, duke pretenduar se ajo ka kaluar nën kontrollin e kompanisë serbe VEGA, të cilën partia e lidh me biznesmenin Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart.

Në një konferencë për media, zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli tha se Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, më 3 prill 2025, me vendimin nr. 08-55, ka miratuar blerjen e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA.

Sipas BDI-së, çështja merr rëndësi të veçantë për shkak të rolit të kompanisë në furnizimin e institucioneve shëndetësore me barna, veçanërisht me insulinë.

“Vetëm gjatë vitit 2026, Vega Pharmaceuticals ka fituar mbi 50 kontrata publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në klinika të ndryshme, me vlerë që tejkalon shumat milionëshe në euro. Vetëm për insulinën, bëhet fjalë për rreth 10 milionë euro”, tha zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli

Partia pretendon se miratimi i këtij transaksioni duhet të jetë shoqëruar me një vlerësim të posaçëm të rreziqeve për sigurinë e furnizimit me insulinë dhe barna.

“Insulina nuk është biznes i zakonshëm. Është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit”, u shpreh BDI-ja.

Në këtë kuadër, partia kërkoi përgjigje se kush e ka vlerësuar rrezikun për sigurinë e furnizimit me insulinë, përse Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës e ka miratuar përqendrimin dhe nëse ka pasur ndikim politik në procesin e vendimmarrjes.

BDI-ja ngriti gjithashtu pyetje lidhur me rolin e anëtarit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Valon Elezi, duke pyetur nëse ai ka pasur dijeni për çështjen.

Partia kërkoi publikimin e plotë të analizës mbi të cilën është bazuar miratimi i transaksionit, si dhe të gjitha kontratave për furnizim me insulinë për periudhën 2025–2027.

“Pas bankave dhe telekomunikacionit, tani shtrohet pyetja edhe për kontrollin mbi insulinën”, tha Zendeli, duke e cilësuar furnizimin me insulinë si çështje që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Në fund, BDI-ja ngriti edhe skenarin e mundshëm të problemeve financiare apo operative të kompanisë në Serbi, duke pyetur nëse një situatë e tillë do të mund të ndikonte në furnizimin e Maqedonisë së Veriut me barna dhe insulinë.

 



Të ndryshme
Më shumë