Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Alfabetit”, të organizuar nga ITShKSh, ku në fokus të diskutimeve ishte cilësia e teksteve shkollore dhe përgjegjësia për avancimin e arsimit në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi, Mexhiti ka theksuar se Dita e Alfabetit nuk është vetëm një përkujtim i Kongresit të Manastirit të vitit 1908, por edhe një moment reflektimi për përgjegjësinë që institucionet kanë ndaj brezave të rinj dhe cilësisë së arsimit shqip.
Ai ka vlerësuar se tekstet shkollore duhet të jenë të sakta, të qarta dhe të kuptueshme, duke nxitur te nxënësit mendimin kritik, arsyetimin dhe kureshtjen për dije.
Sipas Mexhitit, hartimi, përkthimi dhe vlerësimi i teksteve shkollore kërkojnë angazhim serioz profesional, ndërsa në këtë proces duhet të përfshihen drejtpërdrejt edhe mësimdhënësit, pedagogët, gjuhëtarët dhe specialistët e fushave përkatëse.
Kryetari i Çairit ka theksuar gjithashtu se udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësi për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe për forcimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore e shkencore.
“Brezi i Manastirit përmbushi detyrën e kohës së vet. Detyra jonë është t’u sigurojmë fëmijëve arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe mundësi për të ecur përpara përmes dijes”, ka deklaruar Mexhiti./Zhurnal.mk