Në deklaratën e saj për opinionin publik, kompania thekson se nuk ka marrë asnjë kredi nga Alta Banka në Republikën e Serbisë dhe se nuk ka pasur asnjë rol apo ndikim në procesin e hyrjes së kësaj banke në tregun e Maqedonisë së Veriut.
Sipas AS Senjak, ky proces është në kompetencë të institucioneve përkatëse shtetërore, ndërsa përfshirja e emrit të kompanisë në këtë çështje, siç thuhet në deklaratë, bëhet për qëllime politike dhe në debate që nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë e saj.
Kompania thekson se është subjekt privat ekonomik, me veprimtari dhe vendimmarrje të pavarur, pa ndikimin e faktorëve politikë apo të jashtëm.
Në reagim, AS Senjak nënvizon se reputacionin e saj e ka ndërtuar ndër vite përmes punës së ndershme, korrektësisë dhe respektimit të ligjit. Njëkohësisht, paralajmëron se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj çdo personi fizik apo juridik që publikon ose shpërndan pretendime të pavërteta që cenojnë integritetin dhe reputacionin e kompanisë.
Në fund të deklaratës, kompania thekson se përkushtimi i saj mbetet ndaj punonjësve dhe familjeve të tyre, të cilët sigurojnë jetesën përmes punës në këtë kompani.