TV LIVE
Teknologji
12 November 2026
Pse zgjerimi i Claude në mjediset e punës po kërcënon gjigantët e teknologjisë

Anthropic po kërkon mënyra të reja për të forcuar pozicionin e saj në tregun e ndërmarrjeve, duke hyrë gjithnjë e më shumë në territorin e platformave tradicionale të produktivitetit.

Të martën, më 10 nëntor, kompania prezantoi një paketë të re mjetesh për Claude, mes tyre Meetings, Whiteboards, Sheets dhe Data, si dhe një version më të avancuar të lidhjeve ndërvepruese me aplikacione të tjera. Këto funksionalitete i shtohen mjeteve ekzistuese si Docs, Slides, Design dhe Motion, përmes të cilave, sipas Anthropic, përdoruesit kanë krijuar tashmë më shumë se 45 milionë dokumente, prezantime dhe materiale dizajni. Me këtë zgjerim, ekosistemi i Claude po shndërrohet gradualisht në një alternativë serioze ndaj platformave të produktivitetit të Google dhe Microsoft. Në vend që të kufizohet në rolin e një asistenti që u përgjigjet pyetjeve apo gjeneron përmbajtje, Claude synon të ofrojë zgjidhje të integruara për një gamë të gjerë detyrash profesionale, duke shfrytëzuar informacionin, dokumentet dhe burimet që organizatat kanë ndarë më parë me modelin. “Për vite me radhë, ne kemi mësuar të përshtatim mënyrën si punojmë me softuerët. Tani është Claude që përshtatet me ju”, deklaroi Ami Vora, drejtuesja e produkteve në Anthropic.

Një nga risitë më interesante është Claude Meetings, një funksionalitet që i mundëson asistentit të Inteligjencës Artificiale të marrë pjesë në takime virtuale si një pjesëmarrës i dukshëm, ngjashëm me shërbimet e njohura Otter.ai apo Fireflies.ai. Megjithatë, ambicia e Anthropic shkon përtej regjistrimit të bisedave apo përgatitjes së përmbledhjeve të takimeve. Claude Meetings synon t’i kthejë diskutimet drejtpërdrejt në veprime konkrete. Për shembull, gjatë një takimi, Claude mund të krijojë një plan pune me afate në një tabelë bashkëpunimi, të kërkojë të dhëna financiare nga viti i kaluar në aplikacionet e lidhura me kompaninë ose të organizojë informacionin e nevojshëm për marrjen e vendimeve.

Në fazën fillestare, Claude Meetings do të ofrohet në versionin beta për përdoruesit e planeve Team dhe Enterprise.

Një tjetër risi është Claude Whiteboards, një hapësirë virtuale bashkëpunimi ku ekipet mund të zhvillojnë ide, të organizojnë projekte dhe të punojnë së bashku me Claude. Ndërkohë, Claude Sheets u mundëson përdoruesve të krijojnë dhe modifikojnë tabela elektronike përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Inteligjencën Artificiale.

Të dyja këto mjete do të jenë fillimisht të disponueshme në versionin beta për përdoruesit me abonime me pagesë.

Nga ana tjetër, Claude Data, i njohur më parë si Claude Dashboards, është krijuar për të lidhur asistentin me burimet e të dhënave të kompanive, si sistemet CRM apo platformat ku ruhen dhe analizohen të dhënat e biznesit. Ky funksionalitet tashmë është i disponueshëm për të gjitha planet me pagesë.

Anthropic njoftoi gjithashtu zgjerimin e lidhjeve ndërvepruese me aplikacione të tjera, duke i bërë ato të disponueshme edhe për përdoruesit e versionit falas. Përmes tyre, Claude mund të lidhet me mjetet që njerëzit përdorin çdo ditë, të aksesojë informacionin përkatës dhe të ndërmarrë veprime brenda këtyre aplikacioneve.

Kjo teknologji është testuar që prej janarit, fillimisht duke u mundësuar përdoruesve të shihnin versione të kufizuara dhe ndërvepruese të aplikacioneve brenda bisedave me Claude. Tani, sistemi mund të hapë aplikacione të plota brenda ndërfaqes së tij, me një përvojë të ngjashme me përdorimin e tyre drejtpërdrejt në platformat origjinale.

Ndryshimi më i rëndësishëm që sjell kjo strategji është reduktimi i nevojës për të kaluar vazhdimisht nga një aplikacion në tjetrin.

Për vite me radhë, profesionistët janë mësuar të përdorin programe të ndryshme për detyra të ndryshme: një platformë për dokumentet, një tjetër për tabelat financiare, një aplikacion për takimet dhe disa të tjera për menaxhimin e projekteve apo komunikimin me ekipin.

Me zgjerimin e Claude, Anthropic po propozon një mënyrë tjetër pune, ku një pjesë gjithnjë e më e madhe e këtyre proceseve mund të realizohet brenda së njëjtës platformë.

Për shembull, një profesionist që ka përdorur Microsoft Excel për vite me radhë mund të zgjedhë të krijojë ose modifikojë një tabelë fillimisht përmes Claude Sheets, veçanërisht nëse tashmë e përdor Claude si asistentin kryesor të Inteligjencës Artificiale. Duke qenë se dokumentet mund të eksportohen në formatin Excel, përdoruesi nuk humbet përputhshmërinë me programet ekzistuese, por thjesht ndryshon mënyrën se si e realizon punën.

Kjo përbën një sfidë të rëndësishme për Microsoft dhe Google, të cilat kanë investuar ndjeshëm në integrimin e Inteligjencës Artificiale brenda produkteve të tyre të njohura, si Microsoft 365 dhe Google Workspace.

Avantazhi tradicional i këtyre kompanive ka qenë fakti se miliona profesionistë i përdorin tashmë programet e tyre dhe janë familjarizuar me mënyrën se si funksionojnë. Por përhapja e asistentëve të Inteligjencës Artificiale po ndryshon gradualisht këtë marrëdhënie.

Për një përdorues që ndërvepron çdo ditë me Claude, vlera nuk qëndron më vetëm te funksionalitetet e një programi, por edhe te konteksti që asistenti ka krijuar nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me të. Sa më shumë informacion për punën, projektet dhe preferencat e përdoruesit të ketë sistemi, aq më lehtë mund të ofrojë rezultate të personalizuara dhe të përshpejtojë realizimin e detyrave.

Kjo do të thotë se konkurrenca në tregun e softuerëve të produktivitetit nuk do të përcaktohet më vetëm nga numri i funksioneve apo cilësia e aplikacioneve, por gjithnjë e më shumë nga aftësia për të krijuar një përvojë pune të vazhdueshme, të integruar dhe të personalizuar.

Në epokën e Inteligjencës Artificiale, përdoruesit mund të mos qëndrojnë domosdoshmërisht besnikë ndaj programit që njohin prej vitesh, por ndaj asistentit me të cilin janë mësuar të punojnë dhe që kupton më mirë nevojat e tyre.

Dhe pikërisht këtu qëndron kërcënimi më i madh i strategjisë së Anthropic për gjigantët tradicionalë të teknologjisë: nëse Inteligjenca Artificiale bëhet pika kryesore e hyrjes në punën e përditshme, kompanitë që kontrollojnë këtë marrëdhënie me përdoruesin mund të fitojnë një avantazh vendimtar ndaj atyre që ofrojnë softuerët tradicionalë.



Të ndryshme
Më shumë