Është ndarë nga jeta Nasuf Jusufi, njëri prej këngëtarëve të njohur të këngës burimore kërçovare, i cili për dekada me radhë i kushtoi jetën ruajtjes dhe kultivimit të traditës muzikore të kësaj treve.
Nasuf Jusufi u lind në vitin 1938, në fshatin Kaleshë, në lagjen Haskë, vend i njohur për traditën e pasur të këngës burimore kërçovare dhe për shumë këngëtarë që ndër breza e ruajtën këtë trashëgimi. I rritur në një familje ku kënga ishte pjesë e jetës së përditshme, Xha Nasufi filloi të këndonte që në moshë të re.
Gjatë karrierës së tij muzikore, ai këndoi së bashku me vëllain e tij Shefkiun, Vebi Hazirin, Halit Ahmedin, Zeqir Ademin, Remzi Nuhiun dhe shumë këngëtarë të tjerë, me të cilët kontribuoi në ruajtjen dhe përcjelljen e këngës tradicionale kërçovare.
Nasuf Jusufi ishte ndër bartësit dhe ruajtësit e këtij thesari muzikor, i cili për shumë vite ishte pjesë e pandashme e jetës së familjeve kërçovare. Në dasma, syneti dhe ahengje të ndryshme familjare, kënga e tij dhe e grupit ishte pothuajse e pranishme në çdo festë. Ai gëzonte respekt dhe afërsi me banorët e fshatrave, ku kënga burimore ruhej dhe kultivohej me përkushtim.
Përmes këngës, Nasufi Jusufi me grupin përcolli edhe histori, ngjarje dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve të Kërçovës. Në repertorin e tij zinin vend këngë me rëndësi të veçantë për traditën dhe historinë e kësaj treve, ndër to kënga e Sulltanës, këngët kushtuar Sadin Selmanit, si dhe shumë këngë të tjera që vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit të këngës burimore kërçovare.
Edhe TV USKANA, që nga themelimi, ka pasur si një ndër misionet e saj dokumentimin dhe promovimin e këngës burimore kërçovare. Në këtë kuadër, ka realizuar bashkëpunime të shumta me Nasufin dhe grupin e tij, të cilët gjithmonë ishin të gatshëm të interpretonin këngët tradicionale para kamerave tona.
Sot, ato incizime përbëjnë një trashëgimi të çmuar filmike dhe muzikore, një dëshmi e gjallë e njerëzve që i kushtuan jetën ruajtjes së melosit kërçovar. Përmes tyre, zëri i Nasuf Jusufit dhe i bashkëkohësve të tij do të vazhdojë të dëgjohet edhe nga brezat e ardhshëm.
Me ndarjen e tij nga jeta, kënga burimore kërçovare humbi edhe një nga bartësit e saj, por këngët dhe interpretimet e tij do të mbeten pjesë e kujtesës sonë kulturore.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe kontributin e tij në ruajtjen e këngës burimore kërçovare, TV USKANA sjell për shikuesit disa nga interpretimet e Nasuf Jusufit dhe grupit të tij, të ruajtura në arkivin tonë televiziv. Këto incizime janë dëshmi e një trashëgimie të çmuar muzikore dhe një kujtim i përhershëm për njeriun që me zërin dhe këngën e tij i dha shumë melosit kërçovar.