Në liqenin e Kërçovës, në organizim të Shoqatës së Peshkatarëve „Hunter Fish“, përfundoi me sukses turneu i peshkimit „Avanturat e Nëntorit – Carp Cup Kërçovë 2026“.
Në këtë turne morën pjesë gjithsej 19 ekipe garuese, të cilat gjatë 52 orëve të garës zunë mbi 250 kilogramë peshk.
Vendin e parë e fitoi ekipi i peshkatarëve nga Ohri, ndërsa kapja e peshkut më të madh i takoi ekipit „Carp Fish“ nga Labunishta arriti të zërë peshkun më të madh të turneut, me peshë prej 12 kilogramësh e 580 gramësh.
Kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve „Hunter Fish“ nga Kërçova dhe organizatori i turneut, Besmir Elezi, falënderoi të gjitha ekipet për pjesëmarrjen, duke shprehur mirënjohje edhe për të gjithë ata që mbështetën organizimin dhe realizimin e këtij aktiviteti.
Ndërkaq, referi i turneut, Zoran Kozhukarov, prezantoi rezultatet përfundimtare të garës, si dhe ekipet që zunë tri vendet e para.
Turneu „Avanturat e Nëntorit – Carp Cup Kërçovë 2026“ mblodhi së bashku dashamirës të peshkimit nga vende të ndryshme, duke promovuar sportin e peshkimit dhe aktivitetet sportive në liqenin e Kërçovës.