Uskana Martial Arts Academy në Kërçovë funksionon prej 16 vitesh, duke u ofruar të rinjve mundësinë të merren me sport dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në artet marciale. Akademia është themeluar nga Urim Saiti, përfaqësues kombëtar dhe president i International Sport Karate Association.
Për mënyrën e funksionimit të akademisë dhe rëndësinë e saj në edukimin e të rinjve, flet themeluesi Urim Saiti, i cili thekson se ky klub nuk është vetëm një vend ku mësohen teknikat dhe taktikat e arteve marciale, por edhe një akademi ku të rinjtë fitojnë njohuri dhe vlera që u shërbejnë gjatë gjithë jetës.
Duke prezantuar disa nga ish-nxënësit e akademisë, të cilët janë pjesë e saj që nga fillimet, Saiti u shpreh i veçantë që sot po stërvit edhe fëmijët e tyre, duke shënuar kështu vazhdimësinë e gjeneratës së dytë.
Ai theksoi se dyert e akademisë janë të hapura për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të merren me aktivitete sportive, pa dallim moshe. Saiti u shpreh gjithashtu i kënaqur me interesimin e të rinjve për t'u bërë pjesë e klubit.
Përveç stërvitjeve dhe edukimit sportiv, akademia u mundëson sportistëve të rinj edhe pjesëmarrjen në gara zyrtare dhe profesionale, duke u krijuar mundësi që talentin dhe përkushtimin e tyre ta dëshmojnë edhe në arenën ndërkombëtare.