Opozita maqedonase akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski dhe guvernatorin Trajko Sllaveski për përgjegjësi në krizën e Alta Bankës, pas revokimit të licencës së bankës mëmë në Serbi. LSDM kërkon dorëheqjen e guvernatorit dhe hetim penal ndaj të gjithë të përfshirëve.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, për përgjegjësi në krizën e Alta Bankës, duke pretenduar se ata i hapën rrugën hyrjes në vend të bankës serbe, të cilën e lidh me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në reagimin e publikuar më 4 nëntor, LSDM thotë se qytetarët kanë mbetur pa qasje të plotë në kursimet e tyre, ndërsa degët e bankës nuk po funksionojnë dhe para bankomateve ka pritje të gjata.
“Për Alta Bankën, e gjithë përgjegjësia është e Hristijan Mickoskit dhe Trajko Sllaveskit. Ata e sollën bankën e Vuçiqit në Maqedoni, e cila tani është e falimentuar”, thuhet në reagimin e partisë opozitare.
Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching
Sipas LSDM-së, qeveria e Mickoskit hapi rrugën për hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas, ndërsa guvernatori Sllaveski dha pëlqimin për marrjen e Stopanska Bankës së Manastirit nga banka serbe.
Partia pretendon se kishte paralajmëruar për kapitalin e dyshimtë të bankës rreth 11 muaj më parë, por paralajmërimet e saj nuk ishin marrë parasysh.
“Slaveski siguroi se gjithçka ishte në rregull dhe asgjë nuk ishte e gabuar. Tani ai po merr vendime të gabuara në dëm të qytetarëve”, thuhet në reagim.
LSDM e cilëson skandalin si një operacion të dyshuar për pastrim parash, duke pretenduar se Alta Banka ishte pjesë e një rrjeti financiar të lidhur me partinë në pushtet në Serbi, SNS, dhe me VMRO-DPMNE-në në Maqedoninë e Veriut.
“Skandali i Alta Bankës ka dëshmuar se ishte një operacion pastrimi parash për sindikatën mafioze SNS të Vuçiqit në Serbi dhe VMRO-OKG të Mickoskit këtu”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Partia kërkon që Sllaveski të japë dorëheqje dhe që Prokuroria të nisë hetim ndaj Mickoskit, guvernatorit dhe të gjithë personave të lidhur me bankën.
“Duhet të ketë përgjegjësi për këtë skandal, për këtë aferë financiare”, përfundon reagimi.
Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur administrim të përkohshëm mbi Alta Bankën në Manastir për një periudhë tre mujore, pas revokimit të licencës së bankës mëmë në Beograd. Banka maqedonase nuk është shpallur e falimentuar, ndërsa administrimi synon mbrojtjen e depozituesve dhe kreditorëve.