TV LIVE
Nga Vendi
3 November 2026
Rasti Alta Bank, Sllaveski: Shqyrtohet mundësia që 3.500 pensionistë pa kartela të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë

Banka Popullore po përgatit një zgjidhje të veçantë për pagesën e pensioneve të rreth 3.500 pensionistëve që marrin pensionet përmes ALTA Bankës SHA Manastir, por nuk kanë kartela bankare. Po shqyrtohet mundësia që ata të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë përnjëherë në sportel, me qëllim që t’ua lehtësojë qasjen në mjetet e tyre financiare. Njëkohësisht, po kërkohen zgjidhje edhe për kompanitë që kanë mjete në Bankë dhe duhet t’i paguajnë pagat, si dhe t’i shlyejnë detyrimet për tatime dhe kontribute. Këtë e bëri të ditur guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, në një intervistë për emisionin “Top Tema” në TV Telma, transmeton Portalb.mk.

Banka Popullore tha ai, reagoi me kohë duke vendosur administrim të përkohshëm në ALTA Bankën SHA Manastir, si masë mbrojtëse me kohëzgjatje deri në tre muaj, në përputhje me legjislacionin. Ekipi i Bankës Popullore, i cili është i pranishëm në Bankë, e ndjek vazhdimisht gjendjen dhe funksionimin e shërbimeve bankare, përfshirë edhe bankomatët. Vëmendje e veçantë i kushtohet gjetjes së zgjidhjeve përkatëse për qytetarët që nuk kanë kartela bankare.

“Nga gjithsej 11.500 pensionistë që marrin pensionet përmes Bankës, rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për ta po përgatisim një zgjidhje të veçantë për pagesën përmes sporteleve. Qëllimi është t’ua mundësojmë qasjen më të lehtë në mjetet e tyre, ndërsa publiku do të informohet sapo të përcaktohen të gjitha detajet e nevojshme”, theksoi guvernatori Sllaveski.

Në këtë drejtim, po shqyrtohet edhe mundësia që, për pensionistët pa kartela bankare, të mundësohet tërheqja e njëhershme deri në 20.000 denarë, me qëllim që të shmangen vizitat e shumta në sportele dhe t’ua lehtësohet disponimi me mjetet e tyre.

Sa i përket funksionimit të personave juridikë që kanë llogari në ALTA Bankën SHA Manastir, në përputhje me masat e vendosura, ata mund të kryejnë pagesa të brendshme brenda Bankës, drejt llogarive të personave të tjerë juridikë dhe fizikë, pa kufizim të shumës. Transferet e mjeteve jashtë Bankës janë përkohësisht të kufizuara.

“Banka Popullore po shqyrton edhe zgjidhjet e mundshme për kompanitë që kanë mjete në llogaritë e tyre në Bankë, por duhet t’i paguajnë pagat e të punësuarve dhe t’i shlyejnë detyrimet për tatime dhe kontribute, duke pasur parasysh se afati ligjor për pagesën e tyre është deri më 15 të muajit”, theksoi guvernatori.

Ai bëri të ditur se Banka Popullore po e ndjek vazhdimisht gjendjen, ndërsa kufizimet e vendosura do të rishqyrtohen në përputhje me zhvillimin e ngjarjeve. Publiku do të informohet me kohë për të gjitha ndryshimet dhe vendimet përkatëse.

Në kuadër të aktiviteteve të mëtejshme, Banka Popullore i ka dërguar një njoftim rregullatorit kompetent në Serbi, duke kërkuar që brenda tre ditësh të deklarohet nëse ALTA Banka SHA Beograd do t’i ofrojë për shitje aksionet në ALTA Bankën SHA Manastir.

“Pavarësisht nëse do të marrim përgjigje nga rregullatori, pas kalimit të dhjetë ditëve Banka Popullore do t’i ofrojë aksionet e ALTA Bankës SHA Manastir në Bursën e Maqedonisë. Ekziston interesim nga disa investitorë potencialë, nga vendi dhe jashtë tij, për blerjen e aksioneve të Bankës. Procedura për shitjen eventuale do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin dhe kompetencat e Bankës Popullore. Qëllimi është të sigurohet përzgjedhja e një investitori të përshtatshëm, i cili do t’i përmbushë kriteret ligjore dhe mbikëqyrëse për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar dhe do të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë dhe funksionimin e papenguar të Bankës”, theksoi guvernatori.

Sllaveski nënvizoi se afatet për ndërmarrjen e hapave të ardhshëm janë të shkurtra, pasi shpejtësia e veprimit është veçanërisht e rëndësishme për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për Bankën.

Më herët, të dielën, Banka Popullore mori vendim për marrjen nën administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, në kohëzgjatje prej tre muajsh. Vendimi u mor për shkak të rrethanave që mund ta rrezikojnë seriozisht aftësinë paguese të bankës dhe kapacitetin e saj për t’i përmbushur me kohë detyrimet financiare të marra përsipër.

Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të përcaktuar gjendjen e plotë dhe për të dorëzuar një raport të detajuar te Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore. Ndërkohë, ata do të kontrollojnë dhe miratojnë çdo pagesë të shpenzimeve operative dhe administrative.

Gjatë periudhës së administrimit janë vendosur kufizime për daljen e mjeteve financiare. Për personat fizikë është përcaktuar një limit javor prej 10.000 denarësh për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa te tregtarët me kartelat e lëshuara nga banka. Pagesat e brendshme nga llogaritë e personave fizikë drejt llogarive të tjera në të njëjtën bankë mbeten të mundshme pa kufizim të shumës.

Për personat juridikë janë mundësuar pagesat e brendshme pa kufizime drejt llogarive të tjera në bankë, por janë ndërprerë plotësisht transferet e mjeteve jashtë bankës përmes sistemeve kombëtare të pagesave, si dhe tërheqja e parave të gatshme nga bankomatët ose sportelet.

Pranimet e mjeteve nga jashtë përmes sistemit SEPA do të zhvillohen pa pengesa, ndërsa të gjitha pagesat dalëse drejt jashtë vendit përkohësisht nuk do të jenë të disponueshme për asnjë klient.

Nga Banka Popullore kanë theksuar se depozitat e kursimeve të qytetarëve janë të siguruara ligjërisht përmes Fondit të Sigurimit të Depozitave deri në shumën prej 30.000 eurosh, ndërsa personat që kanë kredi kanë obligim të vazhdojnë rregullisht pagesën e kësteve të tyre.

Administrimi i përkohshëm do të zgjasë tre muaj, ndërsa Banka Popullore paralajmëron se do ta ndjekë vazhdimisht gjendjen dhe do t’i rishqyrtojë kufizimet në varësi të zhvillimit të ngjarjeve.

Guvernatori Trajko Sllaveski konfirmoi se tashmë është formuar një ekip prej shtatë të punësuarish, të cilët po e ndjekin punën e bankës. Sipas tij, pronari nga Beogradi është njoftuar që t’i nxjerrë aksionet në shitje dhe, nëse nuk e bën këtë, Banka Popullore do t’i ofrojë ato në ankand, duke vlerësuar se ka blerës të interesuar.

Nga Banka Popullore u bëjnë thirrje qytetarëve dhe klientëve që të informohen përmes burimeve zyrtare dhe të mos marrin vendime në bazë të informacioneve të paverifikuara. Ata theksojnë se tërheqja e panevojshme dhe masive e mjeteve nuk është në interes të depozituesve.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë vendosi të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.

Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.

“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.

Mediat serbe ndërkohë  raportuan se është arrestuar pronari i “Alta Bankës”, Davor Macura. Më herët, kontrolli në hapësirat e selisë qendrore të bankës në Beograd kishte zgjatur më shumë se 30 orë.

Ndryshe, LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.

Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.

Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).

Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.

Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.



Të ndryshme
Më shumë