Shtetet e Bashkuara votojnë sot, më 3 nëntor, në zgjedhjet e mesmandatit, një përballje që mund të ndryshojë ekuilibrat e pushtetit në Uashington dhe të përcaktojë hapësirën politike të presidentit Donald Trump për dy vitet e ardhshme.
Qytetarët amerikanë zgjedhin të gjithë 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 senatorët. Paralelisht, në shumë shtete zhvillohen gara për guvernatorë dhe institucione të tjera shtetërore e lokale. Zgjedhjet mbahen në gjysmën e mandatit presidencial dhe shërbejnë si një provë e rëndësishme e mbështetjes për administratën në pushtet.
Megjithëse emri i Trumpit nuk është në fletëvotim, drejtimi i presidencës së tij është në qendër të përballjes. Republikanët kërkojnë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, ndërsa demokratët synojnë të fitojnë shumicën dhe të forcojnë mbikëqyrjen ndaj Shtëpisë së Bardhë.
Çfarë mund të ndryshojë pas votimit?
Kontrolli i Kongresit ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi miratimin e ligjeve, buxhetin federal dhe punën e komisioneve parlamentare. Nëse republikanët ruajnë shumicën në të dyja dhomat, Trump do të ketë kushte më të favorshme për të çuar përpara programin e tij.
Nëse demokratët marrin njërën ose të dyja dhomat, administrata do të përballet me më shumë negociata, kundërshtim ndaj nismave ligjore dhe mbikëqyrje parlamentare. Kontrolli i Senatit ka rëndësi të veçantë edhe për konfirmimin e emërimeve të larta dhe të gjyqtarëve federalë.
Në Senat, republikanët hyjnë në zgjedhje me epërsi 53 me 47 vende, duke përfshirë në bllokun demokrat dy senatorët e pavarur që bashkëpunojnë me të. Demokratëve u nevojitet një fitim neto prej katër vendesh për të siguruar shumicën prej 51 senatorësh. Mes garave që tërheqin vëmendjen janë ato në Miçigan, Karolinën e Veriut, Mein, Ohajo dhe Teksas.
Ekonomia dhe kostoja e jetesës në qendër të vendimit
Përtej përplasjes partiake, zgjedhja e amerikanëve ndikohet nga shqetësime të përditshme: çmimet, banimi, shëndetësia dhe vendet e punës. Këto çështje janë ndër temat kryesore të fushatës dhe mund të përcaktojnë rezultatin në zonat ku diferencat mes kandidatëve janë të vogla.
Sondazhet dhe vlerësimet e analistëve të pavarur u japin demokratëve mundësi të favorshme për të marrë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa beteja për Senatin mbetet e pasigurt. Megjithatë, parashikimet nuk përbëjnë rezultat: pjesëmarrja dhe votat në garat e ngushta do të vendosin shumicën e ardhshme.
Kur priten rezultatet?
Për publikun në Maqedoninë e Veriut, rezultatet e para priten gjatë natës mes së martës dhe së mërkurës, me mbylljen graduale të vendvotimeve në SHBA. Në garat më të ngushta, numërimi mund të zgjasë disa ditë, prandaj kontrolli përfundimtar i Kongresit mund të mos qartësohet që në natën zgjedhore.