Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Albert Sylajt, i cili ishte në kërkim si i dyshuar për rastin e vrasjes së rëndë që ndodhi më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u realizua të martën mbrëma, rreth orës 23:40, në Deçan, pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore të njësive përkatëse policore.
“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Klankosova.tv.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e ofruar në lokalizimin e të dyshuarit, duke theksuar se mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ndërkaq, për veprimet e mëtejme procedurale, Policia ka bërë të ditur se do të veprojë në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.