TV LIVE
Nga Rajoni
26 October 2026
Vrasja e gruas, shkon në 8 numri i viktimave vetëm gjatë këtij viti/ Mblidhet parlamenti, opozita në Kosovë kërkon dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve

Me një minutë heshtje ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Opozita e cilësoi si alarm kombëtar vrasjen e grave e kërkuan shkarkim të krerëve të institucioneve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt që u vra nga kunati i saj, derisa kërkonte mbrojtje institucionale.

Arian Tahiri – deputet, PDK: Edhe zyrtarët e kabinetit qeveritar, konkretisht znj. Gërvalla, sot minimumi i minimumit do të duhej të mbajë përgjegjësi morale. Si reflektim i përgjegjësisë, i ndjeshmërisë znj. Gërvalla sot do të duhej të jepte dorëheqje.

Vjosa Osmani – deputete, LDK: Ligji thotë edhe burg edhe gjobë, ata japin vetëm gjobë. 300 euro, 300 euro, kaq është vlera e një gruaje edhe jetës së saj. Prandaj jo vetëm shkarkim i menjëhershëm, por edhe përgjegjësi penale për të zinxhirin komandues.

Megjithatë, ishte pikërisht kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu që ka shërbyer edhe si ministre e Drejtësisë, që u doli në mbrojtje kolegëve të saj ministra duke i zhveshur nga përgjegjësia.

Albulena Haxhiu – kryetare e Kuvendit të Kosovës: Ç’kuptim ka një ligj që miratohet në këtë Kuvend, nëse atje një prokuror e një gjyqtar e një polic nuk e zbaton?! Dhe c’faj ka ministrja Gërvalla ose ministri Svecla nëse Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme i ka adresur legjislacionin e mekanizmat që i ka në dispozicion.

E ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla që është edhe Koordinatore Nacionale kundër dhunës në familje, tha se nuk janë bindur që institucionet kanë kryer si duhet punën e tyre e paralajmëroi se përgjegjësit do vihen para drejtësisë.

Donika Gërvalla – Ministre e Drejtësisë: Shqyrtimi i plotë i rastit të Arlinda Zekajt, i cili do të sigurojë një kronologji të dokumentar të trajtimit të të gjitha rasteve të saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ashtu ka dënuar vrasjen e Arlinda Zekajt duke bërë thirrje për hetim të detajuar. Krahas kësaj kërkoi veprime konkrete nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë.

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati i saj, derisa e njëjta kërkonte mbrojtje nga shteti, për të mërkurën është thirrur protestë me thirrje që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë.

Në Kosovë në dhjetë muajt e vitit 2026 janë vrarë 8 gra.



Të ndryshme
Më shumë