TV LIVE
Nga Vendi
26 October 2026
Prof. Dr. Jetmire Aliu nga Kërçova promovon librin e saj të parë shkencor mbi prejardhjen e gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup.

Në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup u promovua libri i parë shkencor i Prof. Dr. Jetmire Aliut, me titull “Prejardhja e gjuhës shqipe në këndvështrimin e studiuesve gjermanë”, një botim që sjell një kontribut të ri në fushën e gjuhësisë dhe studimeve albanologjike.

Promovimi mblodhi përfaqësues të jetës akademike dhe arsimore, të cilët vlerësuan rëndësinë e veprës dhe angazhimin shkencor të autores në studimin e prejardhjes së gjuhës shqipe.

Në këtë aktivitet, fjalë rasti mbajtën dekani i Fakultetit Filologjik, Dr. Vlladimir Martinovski, dhe shefja e Katedrës së Albanologjisë, Dr. Mirushe Hoxha. Për përmbajtjen dhe rëndësinë e librit folën edhe recensentët Dr. Ajtene Qamili Hajdari, Dr. Berton Sulejmani dhe Dr. Arbër Çeliku, të cilët prezantuan vlerësimet e tyre për veprën.

Në përmbyllje të promovimit, autorja, Prof. Dr. Jetmire Aliu, iu drejtua të pranishmëve me disa fjalë për librin e saj të parë shkencor dhe rrugëtimin që çoi në realizimin e këtij botimi.

Prof. Dr. Jetmire Aliu ka lindur më 21 qershor 1988 në Kërçovë, ku përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm. Studimet në gjuhë dhe letërsi shqipe, në drejtimin e Albanologjisë, i përfundoi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në vitin 2010, me rezultate të shkëlqyera. Në të njëjtin universitet përfundoi edhe studimet e magjistraturës në vitin 2013.

Në vitin 2024, ajo doktoroi në fushën e gjuhësisë krahasuese në Universitetin e Tetovës, me temën “Prejardhja e gjuhës shqipe në këndvështrimin e albanologëve gjermanë”, tematikë që përbën edhe bazën e librit të saj të parë shkencor.

Që nga viti 2011, Jetmire Aliu punon si profesoreshë e gjuhës shqipe në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, ndërsa gjatë viteve 2013–2017 ishte e angazhuar edhe si lektore e gjuhës shqipe në Universitetin e Tetovës.

Gjatë veprimtarisë së saj akademike, ajo ka publikuar një sërë punimesh shkencore në revista ndërkombëtare, duke kontribuar në studimet e gjuhësisë.

Promovimi i librit të saj të parë shkencor shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e Prof. Dr. Jetmire Aliut dhe përbën një kontribut në trajtimin e çështjes së prejardhjes së gjuhës shqipe përmes këndvështrimit të studiuesve gjermanë.

 



Të ndryshme
Më shumë