TV LIVE
Nga Bota
22 October 2026
Sulme vdekjeprurëse në Arabinë Saudite/ Tre të vdekur dhe 10 të plagosur, SHBA evakuon stafin nga Riadi

Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur nga sulmet e reja që goditën Arabinë Saudite të mërkurën, më 21 tetor.

Sulmet shënjestruan Aeroportin Ndërkombëtar King Fahd, pranë qytetit të Dammamit, si dhe një objekt në fushën e naftës Shaiba, në lindje të vendit.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Arabisë Saudite, një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën nga një sulm në Aeroportin Ndërkombëtar King Fahd. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e sulmit apo dëmet e shkaktuara në infrastrukturën aeroportuale.

Ndërkohë, Ministria Saudite e Energjisë njoftoi se dy persona të tjerë humbën jetën dhe dy u plagosën pasi mbeturinat e një droni të interceptuar ranë mbi ta. Sipas raportimeve fillestare, droni dyshohet se kishte në shënjestër një instalim në fushën e naftës Shaiba.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë identifikuar përgjegjësit për sulmet dhe nuk ka informacione të konfirmuara mbi ndikimin e mundshëm në funksionimin e objekteve të naftës.

Përshkallëzimi i situatës së sigurisë ka shkaktuar reagimin e Uashingtonit. Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e një pjese të personelit të ambasadës amerikane në Riad, si dhe të familjarëve të tyre.

Në misionin diplomatik do të qëndrojë vetëm personeli i konsideruar i domosdoshëm, në kuadër të masave për të kufizuar ekspozimin ndaj rreziqeve të sigurisë.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur Arabia Saudite përballet me sulme të përsëritura, për të cilat janë fajësuar rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani.

Sulmet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës strategjike të mbretërisë, veçanërisht të aeroporteve dhe objekteve të industrisë së naftës.



Të ndryshme
Më shumë