Me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Shkollës së Mesme Komunale “Drita” në Kërçovë, kujtohen hapat e parë të një institucioni me rëndësi të veçantë për arsimin në gjuhën shqipe në këto treva.
Para objektit shkollor në fshatin Llapkindoll të Kërçovës, për TV Uskana ka folur drejtori i parë i kësaj shkolle, historiani Ilmi Veliu, i cili me emocione dhe nostalgji ka rikujtuar kohën kur u shfaq nevoja për hapjen e një shkolle të mesme në gjuhën shqipe.
Veliu kujton edhe presionet e pushtetit të asaj kohe, të cilat synonin pengimin e funksionimit të shkollës në gjuhën shqipe.
Ai thote se në fillimet e saj, SHM “Drita” funksiononte me pesë paralele dhe 150 nxënës, si dhe me një staf të kompletuar mësimor.
Një rol të rëndësishëm në themelimin dhe funksionimin e shkollës, Veliu ia atribuon edhe mbështetjes financiare të mërgimtarëve, të cilët kontribuuan në këtë nismë me rëndësi për shqiptarët e Kërçovës.
Megjithatë, ai nuk e fsheh zhgënjimin për neglizhencën institucionale ,duke vlerësuar se një moment kaq i rëndësishëm në historinë e arsimit shqip meriton më shumë vëmendje dhe vlerësim.
Në fund, Veliu thekson nevojën për përgatitjen e një botimi që do të përmbledhë historinë e themelimit të SHMK-së “Drita”, sfidat e asaj kohe dhe kontributin e të gjithë atyre që u angazhuan për jetësimin e këtij institucioni arsimor.