Në orët e hershme të 30 shtatorit, Rusia goditi me sulme të fuqishme Kievin dhe rajonin përreth tij. Sipas asaj që deklaroi kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy, ky ishte sulmi më masiv ndaj infrastrukturës energjetike në këtë zonë që nga viti 2025.
Një fëmijë u gjet i vdekur nën rrënojat e një shtëpie jashtë kryeqytetit – një nga pesë personat që humbën jetën atë ditë, sipas zyrtarëve, dhe një nga dhjetëra mijëra viktimat civile të sulmeve ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Ndër objektivat e sulmit të asaj dite ishin dy termocentrale të kombinuara për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes në Kiev, si dhe një termocentral jashtë qytetit. Këto tri centrale, së bashku me dhjetëra objekte të tjera jetike të infrastrukturës në mbarë Ukrainën, përfshihen në një dokument të detajuar që paraqet një skenar të mundshëm të një fushate të Moskës për t’u shkaktuar vuajtje të mëdha civilëve, përmes sulmeve që synojnë të ndërpresin ndjeshëm furnizimin me energji elektrike, ngrohje dhe ujë.
Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching
Njësia investigative Skemat e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL) siguroi një kopje të dokumentit në gjuhën ruse nga burime në forcat e mbrojtjes së Ukrainës.
Përmbajtja sugjeron se bëhet fjalë për të njëjtin dokument për të cilin The New York Times, në një raport të publikuar javën e kaluar, duke cituar burime anonime, tha se ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal, ua kishte paraqitur zyrtarëve evropianë gjatë një takimi më 17 shtator në Paris.
“Partnerët tanë i informova për planet e Rusisë për të goditur infrastrukturën energjetike, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca ukrainase”, shkroi Shmyhal atë ditë në një postim në Telegram.
Dokumenti i siguruar nga Skemat identifikon katër “objektiva prioritare”: prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, sistemet e kanalizimit dhe ngrohjen.
Ai përmban një analizë të infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe llogaritje të detajuara të numrit të raketave, dronëve dhe bombave që do t’i duheshin Rusisë për të ndërprerë deri në 90 për qind të furnizimit me energji elektrike në Kiev, Harkiv dhe Odesa, si dhe për të kufizuar ndjeshëm furnizimin me ngrohje dhe ujë në këto qytete, më të mëdhatë në Ukrainë.
Qytetet e tjera të cilësuara si “qytete prioritare” janë Dnipro, Zaporizhja, Mikollaiv, Herson, Poltava, Çernihiv, Krivi Rih, Çerkasi, Kropivnitski, Lviv, Vinitsia dhe Ivano-Frankivsk.
Një listë me 60 “objektiva kyç” përfshin tri centralet bërthamore që janë në funksion dhe nën kontrollin e Ukrainës – centrali i Zaporizhjës është i zaptuar nga Rusia – si dhe 10 hidrocentrale të mëdha dhe dhjetëra objekte të tjera.
Përveç centraleve elektrike dhe infrastrukturës tjetër, dokumenti tregon se një nga synimet do të ishte nxjerrja jashtë funksionit e nënstacioneve, linjave të transmetimit dhe ndërlidhësve elektrikë pranë kufirit perëndimor, përmes të cilëve importohet energjia elektrike nga Evropa dhe shpërndahet më tej brenda Ukrainës.
Shmyhal nuk dha hollësi rreth informacioneve të inteligjencës në postimin e tij të 17 shtatorit, por në deklaratat e mëvonshme për televizionin kombëtar bëri të ditur se në takimin me përfaqësuesit evropianë kishte paraqitur “dy dokumente të mëdha ruseruse”.
“Ato i tronditën partnerët tanë, ashtu siç na tronditën edhe ne, me cinizmin e tyre – me atë llogaritje të ftohtë terroriste se si të shkatërrohet infrastruktura jonë energjetike… Dokumentet janë hartuar në një mënyrë shumë të ftohtë dhe të saktë”, tha ai, sipas RBC-Ukraine. “Ato përmbajnë tabela dhe përcaktojnë sasinë e armatimit të nevojshëm për shkatërrimin e secilit objektiv. Llojet e armëve variojnë nga raketat balistike deri te dronët me motor reaktiv dhe dronët konvencionalë”.
Ky përshkrim përputhet me dokumentin e siguruar nga Skemat. Për shembull, në të thuhet se do të nevojiteshin dy raketa Iskander për të shkatërruar një instalim të tensionit të lartë që transmeton energjinë elektrike nga një central bërthamor.
Dokumenti i vlerëson centralet elektrike vetëm në aspektin e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike, pa përmendur ndonjë rrezik të mundshëm nga rrezatimi, për shembull. Megjithatë, në një shënim me shkronja të vogla paralajmërohet se sulmet me lloje të caktuara armësh ndaj centraleve të ngrohjes pranë zonave të banuara mund të shkaktojnë viktima civile.
Dokumenti titullohet “Përmbledhje analitike: Analiza e sektorit të prodhimit të energjisë elektrike dhe shërbimeve komunale të Ukrainës”, dhe mban datën gusht 2026. Autorët nuk përmenden në kopjen e siguruar nga Skemat, së cilës i mungojnë disa faqe dhe së cilës i janë ndryshuar të dhënat identifikuese. Dokumenti nuk tregon se kujt i është paraqitur në Rusi.
Megjithatë, vetë raporti u referohet burimeve të të dhënave, përfshirë shërbime publike si OpenStreetMap dhe Worldometers, si dhe faqet zyrtare të kompanive ukrainase të energjisë dhe të Ministrisë së Energjisë.
Ai gjithashtu u referohet “specifikimeve teknike të kapaciteteve prodhuese” dhe planeve urbanistike të Kievit dhe qyteteve të tjera. Në shumicën e rasteve, referencat përmendin vlerësime të ekspertëve ose përfaqësuesve të paidentifikuar të Forcave të Armatosura të Rusisë, si dhe një analizë të kryer nga një “grup pune”, anëtarët dhe përkatësitë e të cilëve nuk bëhen të ditur.
Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar mbi dokumentin apo mbi takimin e Shmyhalit me zyrtarët evropianë të energjisë në Paris muajin e kaluar.
Megjithatë, në fillim të tetorit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, la të kuptohej se Rusia do t’i shtonte sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase, duke i paraqitur ato si “hakmarrje” për sulmet e Kievit ndaj objekteve ruse të energjisë dhe logjistikës.
Rusia është përpjekur ta përdorë të ftohtin dhe errësirën si armë që nga viti i parë i pushtimit në shkallë të plotë: sulmet ndaj infrastrukturës elektrike dhe energjetike nisën që në javët e para të luftës. Deri në vjeshtën e vitit 2022, ato u shndërruan në një fushatë të organizuar, ndërsa në nëntor të atij viti Ukraina përjetoi ndërprerjen e parë të madhe të energjisë elektrike.
Çdo vjeshtë është shoqëruar me një shtim të sulmeve. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës i tha Skemave se po heton 3.374 sulme ruse ndaj 1.177 objekteve energjetike në Ukrainë.
Ekspertë të industrisë ukrainase të energjisë thonë se gjatë gjithë verës dhe në shtator, Rusia kreu rreth 160 sulme çdo muaj ndaj infrastrukturës kritike jashtë zonës së frontit – pra, në qytete dhe përreth tyre, larg luftimeve tokësore.
Megjithatë, analistët dhe persona brenda strukturave ushtarake thanë se ishin në dijeni të dokumenteve të ngjashme nga vitet e mëparshme dhe se ky dokument nuk përbënte një plan të mirëfilltë sulmi.
“Dokumente të ngjashme janë shfaqur – të paktën sipas dijenisë sime – që nga viti 2023”, i tha Skemave, Oleksandr Kharchenko, drejtor i Qendrës së Kërkimeve të Industrisë Energjetike me seli në Kiev.
Disa prej emërtimeve të armëve kanë ndryshuar dhe nga njëri vit në tjetrin ka pasur “disa dallime dhe ndryshime”, tha Kharchenko. Ai shtoi se “dokumenti informues pësoi ndryshime të konsiderueshme në vitin 2024, por që atëherë nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim të madh”.
Kharchenko vuri në dukje edhe një aspekt që duket qartë nga formati dhe formulimi i dokumentit.
“Ky nuk është një urdhër luftarak”, tha ai. “Është një dokument i hartuar për t’ua paraqitur një koncept zyrtarëve të lartë rusë, me qëllim që të nxitet një reagim i tillë: ‘Po, do t’i shkatërrojmë të gjitha; plani është i shkëlqyer’”.
Sipas tij, Rusia “po përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën kritike, të ndërpresë ngrohjen dhe energjinë elektrike në qendrat kryesore të popullsisë dhe të na shkaktojë vështirësi maksimale”.
Një përfaqësues i industrisë ukrainase të mbrojtjes, të cilit Skemat iu drejtuan për të verifikuar dokumentin, tha se ai ishte tashmë i njohur për të. Duke folur në kushte anonimiteti për arsye sigurie, ai gjithashtu tha se dokumenti nuk ishte një plan operacional luftarak, por një grup llogaritjesh.
“Ky është një dokument që përdoret për të përcaktuar nevojat dhe për të planifikuar prodhimin e sasisë së nevojshme të municioneve… Ata paraqesin këtë plan, i cili përfshin arsyetimin dhe përfundimet që shpjegojnë pse nevojiten pikërisht këto rezerva armësh”, tha ai.
“Plani i mirëfilltë i shkatërrimit – ai që përcakton shpërndarjen e municioneve dhe planifikon operacionin dhe sulmet konkrete – do të ishte një dokument më vete”, shtoi ai. “Ky do të ishte hapi i radhës, që do të pasonte dokumentin fillestar, pasi të konfirmohej kapaciteti prodhues për sasitë e kërkuara”.
Raporte të tilla analitike janë procedurë standarde, tha përfaqësuesi i industrisë së mbrojtjes, duke shtuar se dokumenti ka të ngjarë të jetë përgatitur nga Ministria ruse e Mbrojtjes ose nga një strukturë e lidhur me të.
“Dokumente të këtij lloji kanë ekzistuar edhe në vitet e mëparshme, sepse struktura e industrisë ruse të mbrojtjes kërkon dokumentacion të tillë – shënime shpjeguese që arsyetojnë nevojat”, tha ai. “Ky është një vizion strategjik: strategjia e armikut për të siguruar që të ketë në dispozicion armatimin e nevojshëm për të kryer një operacion të tillë”.
Në deklaratat e tij televizive për takimin në Paris, Shmyhal la të kuptohej se dokumentet e detajuara ruse e kanë ndihmuar Ukrainën të planifikojë veprimet e veta në luftë.
“Ne e kuptojmë se si synojnë të veprojnë”, citoi RBC-Ukraine të ketë thënë ai.
“Sulmet tona në thellësi të territorit rus ndaj objekteve ruse do të vazhdojnë nëse armiku na sulmon. Rusia do ta ndiejë dhimbjen”, tha ai. “Pa dyshim, ne po përgatitemi për këtë dimër në një mënyrë krejt tjetër nga ajo e dimrit të kaluar. E pranojmë se ky dimër do të jetë një sprovë, por patjetër që do t’ia dalim”.
Skemat kërkoi komente nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR), Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme dhe Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit. Burime brenda HUR-it thanë se, në përgjithësi, ato konfirmojnë deklaratat e udhëheqjes ushtarake dhe politike të Ukrainës lidhur me planet e Rusisë për të vazhduar shkatërrimin e infrastrukturës kritike të vendit.
Skemat pyeti gjithashtu Ministrinë e Energjisë dhe kompanitë shtetërore që mbikëqyrin hidrocentralet dhe centralet bërthamore të vendit, Ukrhydroenergo dhe Energoatom, nëse Ukraina do të ishte në gjendje t’i kundërvihej skenarit të përshkruar në dokumentin analitik.
Ukrhydroenergo tha se informacioni i kërkuar klasifikohet si konfidencial dhe se “zbulimi i tij gjatë gjendjes së luftës mund t’u shkaktojë dëme të konsiderueshme interesave të sigurisë kombëtare”. Ministria e Energjisë dhe Energoatom nuk janë përgjigjur./REL