Vendosja jo adekuate e flamurit kombëtar shqiptar në objektin e NP „Komunalec“ ka nxitur debat dhe përplasje mes këshilltarëve në seancën e Këshillit Komunal të Kërçovës.
Këshilltarët shqiptarë kërkuan sqarim dhe përgjegjësi për mënyrën e vendosjes së flamurit, ndërsa drejtori i NP „Komunalec“, Bojan Stojkoski, deklaroi se bëhej fjalë për një gabim teknik. Ai tha se, nëse duhet të ketë përgjegjësi, atëherë atë do ta mbajë punonjësi i ndërmarrjes që është përgjegjës për vendosjen e flamujve, i cili, është me kombësi shqiptare.
Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e këshilltarit të AKI-së, Shefki Imeti, i cili propozoi iniciativë për shkarkimin e drejtorit të NP „Komunalec“.
Pas këtij propozimi, kryesuesi i Këshillit kërkoi një pauzë prej pesë minutash. Ndërkohë, këshilltarët shqiptarë nga AKI dhe Lista e Pavarur u larguan nga salla dhe nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës.Ndërsa këshilltarët e VLEN-it edhe pse kërkuan respektimin e flamurit kombëtar nuk e lëshuan mbledhjen.
Imeti, në një deklaratë për mediat, tha se që nga ndryshimi i pushtetit lokal shqiptarët janë diskriminuar, në të gjitha drejtimet. Ai kërkoi unitet të këshilltarëve shqiptarë për çështjet kombëtare, duke e cilësuar edhe flamurin kombëtar si çështje që kërkon reagim të përbashkët dhe duke insistuar në shkarkimin e drejtorit të NP „Komunalec“.
Në mungesë të këshilltarëve të AKI-së dhe Listës së Pavarur, Këshilli Komunal vazhdoi punën dhe miratoi pikat e mbetura të rendit të ditës, me pjesëmarrjen e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.