TV LIVE
Nga Vendi
8 October 2026
Ali Ahmetit i vdes berberi: Më shumë se 25 vite u përkujdes për mua, sot humba një mik

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Nexhadi Lutfisë, i njohur si Nexha, i cili për 25 vite ishte kujdesur për pamjen e tij si berber.

Në mesazhin e tij, Ahmeti kujton se Nexha kishte qenë pranë tij që nga viti 2001 e deri para dy muajsh. Me kalimin e viteve, marrëdhënia e tyre ishte shndërruar në një miqësi të mbështetur në respekt të ndërsjellë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Nexhadi Lutfisë – Nexhës.

Që nga viti 2001 e deri para dy muajsh, Nexha ka qenë pranë meje në një mënyrë të veçantë. Me duart e tij të shkathëta ka qenë përkujdesësi im për pamjen, por me kalimin e viteve, marrëdhënia jonë u shndërrua në shumë më tepër se kaq, në miqësi dhe respekt.

Gjatë atyre takimeve tona të rregullta, përveç bisedave të zakonshme, kemi diskutuar edhe për zhvillimet politike e shoqërore. Nexha ishte njeri kureshtar, i vëmendshëm dhe me interes të veçantë për atë që ndodhte rreth nesh. Shpesh, në ato biseda të thjeshta, lindnin edhe diskutime të rëndësishme, me pyetje, vërejtje dhe këndvështrime që dëshmonin për një njeri që e ndiqte me shumë interes kohën në të cilën jetonte.

Sot nuk humba vetëm një njeri që për 25 vite kujdesej për pamjen time si berber. Humbëm një mik, një bashkëbisedues dhe një njeri të mirë, prania e të cilit ishte bërë pjesë e përditshmërisë sonë.

Do ta kujtoj gjithmonë me respekt e mirënjohje”, ka shkruar Ahmeti.



Të ndryshme
Më shumë