TV LIVE
Nga Rajoni
7 October 2026
“Prania Besnike”, Rama: Buxheti 2027 arrin nivelin rekord prej 10 miliardë eurosh. Rishpërndarje e më shumë të ardhurave për qytetarët

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e radhës të “Pranisë Besnike”, ku në fokus ka qenë diskutimi mbi Buxhetin 2027 dhe prioritetet që do të përfshihen në të.

Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri të ditur se Buxheti 2027 pritet të arrijë në nivelin rekord prej 10 miliardë eurosh, duke theksuar se synimi është rishpërndarja e më shumë të ardhurave për qytetarët.

Në takim foli edhe ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili prezantoi disa prej masave që pritet të zbatohen nga viti i ardhshëm.

Ndër prioritetet e Buxhetit 2027 është dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre.

Gjithashtu, duke nisur nga viti 2027, qeveria parashikon aplikimin e bonusit të bebeve me pagesë mujore.

“Për sa i përket prioriteteve për vitin 2027, do të kemi dyfishim të pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kemi njohje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e këtyre fëmijëve.

Duke nisur nga viti 2027, do të aplikojmë për herë të parë bonusin e bebeve, i cili do të paguhet çdo muaj”, tha Malaj.

Në bujqësi, sipas ministrit Malaj, do të vijojë programi i kompensimit të TVSH-së, ndërsa skema e mbështetjes direkte për fermerët parashikohet të rritet në 5.3 miliardë lekë.

“Këtë vit do të bëjmë edhe përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale për shtresat në nevojë. Në bujqësi, për vitin 2027 do të kemi programin e kompensimit të TVSH-së. Skema e mbështetjes direkte të fermerëve parashikohet me rritje, në masën 5.3 miliardë lekë.

Edhe në shëndetësi do të ketë një rritje me rreth 1 miliard lekë për financimin e barnave dhe pajisjeve në shërbimin e kujdesit parësor dhe dytësor”, tha Malaj.



Të ndryshme
Më shumë