TV LIVE
Teknologji
7 October 2026
Apple dhe LG po përgatiten të sjellin një “arsenal pajisjesh” për shtëpinë inteligjente

Apple duket se po përgatitet për një rikthim të fuqishëm në tregun e shtëpive inteligjente, këtë herë në bashkëpunim me LG. Sipas raportimeve të fundit, dy kompanitë kanë zhvilluar së bashku një seri pajisjesh që do të integrohen me qendrën e re inteligjente të Apple. 

Lista e produkteve është e konsiderueshme. Ajo përfshin një zile me video për derën, termostat inteligjent, sensor temperature, bravë elektronike, kamera sigurie për ambientet e brendshme dhe të jashtme, si dhe një kamerë me ndriçim për monitorimin e oborrit. Pajisjet do të mbajnë markën LG, ndërsa Apple dhe LG thuhet se kanë bashkëpunuar në zhvillimin e tyre. 

Detajet janë zbuluar pjesërisht përmes dokumenteve të dorëzuara nga LG pranë Komisionit Federal të Komunikimeve në SHBA (FCC) dhe organizatave të certifikimit. Kompania ka kërkuar që fotografitë dhe specifikimet më të detajuara të mbahen konfidenciale deri në fillim të vitit të ardhshëm. 

Një nga veçoritë më interesante është mbështetja për Matter dhe Thread, së bashku me Wi-Fi dhe Bluetooth, duke e bërë ekosistemin më të hapur dhe më të përshtatshëm për pajisje të ndryshme smart home. Brava inteligjente pritet të ketë gjithashtu Ultra Wideband (UWB), duke mundësuar zhbllokimin automatik të derës kur përdoruesi afrohet. 

Lëvizja vjen në një moment kur Apple po përgatit edhe HomePad, një qendër inteligjente me ekran rreth 6 inç dhe integrim të thellë me Siri. Kompania pritet të prezantojë gjithashtu versione të reja të HomePod mini dhe Apple TV.

Megjithatë, pajisjet e prodhuara nga LG nuk pritet të mbërrijnë menjëherë në treg. Sipas raportimeve, ato mund të jenë të disponueshme vetëm pas disa muajsh, ndërsa Apple synon të ndërtojë gradualisht një ekosistem që mund të konkurrojë drejtpërdrejt me Amazon Ring, Google Nest dhe Samsung SmartThings. 



Të ndryshme
Më shumë