TV LIVE
Nga Vendi
5 October 2026
92 VJEÇARI MUAREM SEFA – XHAKA LEM LË VAKËF 2308 M² TOKË PËR VARREZAT E FSHATIT NOVOSELL

Një gjest i veçantë për vendlindjen dhe brezat që do të vijnë. Muarem Sefa, i njohur nga bashkëfshatarët si Xhaka Lem, ka vendosur të lërë vakëf një sipërfaqe prej 2308 m² tokë për varrezat e fshatit Novosellë të Kërçovës, e cila ndodhet pranë varrezave ekzistuese.
Dëshirën për ta lënë këtë pronë në shërbim të fshatit, Xhaka Lem e kishte shprehur publikisht para më shumë se dy vitesh, gjatë faljes së Namazit të Bajramit, në prani të banorëve.
Pas përpjekjeve për formalizimin e kësaj dëshire dhe në bashkëpunim me Myftininë e Kërçovës, u krijuan kushtet që prona të regjistrohej dhe vakëfi të realizohej. Në këtë proces u angazhuan Myftiu Qamil Rushiti dhe sekretari i Myftinisë, Xhemail Ahmedi, ndërsa mbështetje dhanë edhe familjarët e Xhakës Lem.
Sot, në moshën mbi 92-vjeçare, ai e ka konkretizuar premtimin e dhënë para bashkëfshatarëve.
Kur u pyet për vendimin e tij, Xhaka Lem u përgjigj thjesht:
„Të paktën të kontribuoj edhe unë diçka për fshatin.“
Një sipërfaqe prej 2308 m² për të nuk është thjesht pronë, por një amanet dhe vakëf për brezat e ardhshëm, që do të mbetet në shërbim të vendlindjes.

 

 

 



Të ndryshme
Më shumë