TV LIVE
Nga Bota
5 October 2026
Zgjedhje të parakohshme në Spanjë, Pedro Sánchez shpërndan Parlamentin: Votimet më 29 nëntor

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 29 nëntor, duke vendosur shpërndarjen e Parlamentit nëntë muaj para përfundimit të mandatit.

Vendimi u bë i ditur nga Sánchez gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën në mëngjes nga Pallati Moncloa, pas një fundjave konsultimesh me anëtarët e qeverisë, drejtuesit e Partisë Socialiste dhe partnerët politikë.

Shkak për thirrjen e zgjedhjeve u bë edhe refuzimi në Parlament, të premten e kaluar, i dy dekreteve për strehimin të propozuara nga qeveria. Masat ishin hartuar në përgjigje të reagimit të gjerë shoqëror pas dëbimit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal në Madrid.

Partia katalanase Junts votoi kundër të dy dekreteve, duke u bashkuar me Partinë Popullore (PP) dhe Vox-in, pavarësisht se qeveria kishte negociuar një pjesë të përmbajtjes së tyre me separatistët katalanas.

https://x.com/el_pais/status/2107005245825933507?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2107005245825933507%7Ctwgr%5Eedd4aeb1ec552b4ccebcada06f6328af204aef7e%7Ctwcon%5Es1_c10&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2026%2F10%2F05%2Fzgjedhje-te-parakohshme-ne-spanje-pedro-sanchez-shperndan-parlamentin-votimet-me-29-nentor%2F

Refuzimi i masave shkaktoi protesta në disa qytete të Spanjës, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë gjatë fundjavës, duke kërkuar zgjidhje për krizën e strehimit.

Sánchez pranoi se qeveria e tij kishte bërë gabime dhe nuk kishte arritur të realizonte gjithçka që kishte planifikuar. Megjithatë, ai u bëri thirrje spanjollëve të zgjedhin mes asaj që e cilësoi si “valë të së djathtës ekstreme” dhe një “shumice progresive më të gjerë”.

Kryeministri spanjoll mbrojti gjithashtu bilancin e qeverisë së tij, duke përmendur progresin në energjinë e rinovueshme, të drejtat sociale dhe reduktimin e pabarazive.

Gjatë fjalimit, Sánchez tha se qeveria ishte përballur me kriza të paprecedenta, përfshirë luftëra dhe trazira gjeopolitike. Ai deklaroi se kishte “luftuar kundër tiranëve, tekno-oligarkëve dhe regjimeve që kryen gjenocid”.

Në të njëjtën kohë, Sánchez sulmoi opozitën e përbërë nga PP dhe Vox, duke e cilësuar atë si “opozitën më të keqe të mundshme” dhe duke akuzuar këto parti se kanë vënë në pikëpyetje edhe legjitimitetin e tij si kryeministër.

Me vendimin e ri, spanjollët do t’u drejtohen kutive të votimit më 29 nëntor për të përcaktuar përbërjen e ardhshme të Parlamentit dhe qeverinë e vendit.



Të ndryshme
Më shumë