Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr. 731, datë 25.9.2026, për deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Qendër historike” të fshatit Vuno, si dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj. Ky vendim shoqërohet me planin e plotë për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj hapësire urbane tradicionale, ndërsa shfuqizon vendimin e mëparshëm nr. 30, datë 20.1.2016.
Sipas dokumentit zyrtar, hapësira urbane në mbrojtje ndahet në dy kategori kryesore: “Qendra historike” dhe zona mbrojtëse përreth saj. Vetë “Qendra historike” përbëhet nga dy zona të veçanta:
Kriteret e ndërhyrjeve dhe rregullat e ndërtimit
Plani i ri përcakton rregulla të rrepta për çdo ndërhyrje ndërtimore apo restauruese me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe peizazhit kulturor. Në hapësirën e “Qendrës historike” ndalohen ndërtimet e reja, me përjashtim të rikonstruksionit të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe ndërhyrjeve mirëmbajtëse e restauruese.
Për sa i përket zonës mbrojtëse, lejohen përshtatjet, rikonstruksionet dhe ndërtimet e reja, por ato duhet t’i përmbahen kritereve specifike të arkitekturës tradicionale.
“Lartësia maksimale ose numri i kateve duhet të jetë i njëjtë me mesataren e kateve të ndërtesave përreth, por sidoqoftë jo më shumë se 2 (dy) – 6,5 m deri në kornizën e çatisë… duke ruajtur origjinalitetin e ndërtimit të çative 4 (katër) ujëse, me pjerrësi 25–30 gradë, mbuluar me tjegulla vendi ngjyrë të kuqe.”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, në të gjithë territorin e mbrojtur ndalohen kategorikisht strukturat industriale dhe guroret.
Zbatimi, monitorimi dhe institucionet përgjegjëse
Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkisë Himarë. Po ashtu, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) është ngarkuar me publikimin e hartave zyrtare në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin përkatës.
Studimet dhe projektet për ndërhyrjet në pasuritë kulturore do të shqyrtohen dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), ndërsa monitorimi i punimeve në terren do të kryhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) përgjegjëse. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/rtsh.al/