TV LIVE
Kuriozitete
1 October 2026
Kalaja e Rozafës në restaurim, parkim për vizitorët si dhe ndërhyrje rikualifikuese

Kalaja e Rozafës po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe rikualifikuese, në kuadër të projektit për rivitalizimin e potencialit turistik dhe kulturor të Parkut Arkeologjik të Shkodrës. Ndërhyrjet nisin që në pjesën e poshtme të kalasë ku po ndërtohet shesh parkimi , me synimin për t’i dhënë zgjidhje një prej problematikave të vazhdueshme për vizitorët.

“Parkimi parashikon vendosjen e gjashtë vendeve për autobusë, një pikë informacioni, nyje sanitare për vizitorët, si dhe një pikë tjetër për minibusët, çka do të sjellë edhe një përmirësim të imazhit dhe të mënyrës se si prezantohet siti”, u shpreh Helidon Sokoli, Përgjegjësi i Parqeve Arkeologjike, DRTK Shkodër.

Krahas parkimit, puna po vijon edhe në rikualifikimin e shtegut historik që të çon drejt kalasë, si dhe për restaurimin e fasadës së muzeut të kështjellës. Punimet po zhvillohen paralelisht me fluksin e lartë të vizitorëve, duke u kujdesur që ndërhyrjet të mos pengojnë vizitueshmërinë e monumentit.

“Qëllimi i këtij projekti është rijetëzimi i këtyre akseseve nga disa anë të kalasë, si nga ana perëndimore, ashtu edhe nga ana lindore e saj. Po ashtu, do të ketë rëndësi të madhe edhe një sistem i ri mbrojtës për rritjen e sigurisë së vizitorëve, me parmakë druri në pikat panoramike të kalasë, si dhe një ndriçim të ri, më estetik, brenda oborreve të saj”, tha ai.

Investimi qe po realizohet me fondin prej mbi 1 milion Euro, financim I Fondit Shqiptar të Zhvillimit ,pritet t’i japë një tjetër dimension vizitës në Kalanë e Rozafës, duke përmirësuar infrastrukturën pritëse, por edhe duke nxjerrë më në pah vlerat historike dhe arkitekturore të këtij monumenti. Parku Arkeologjik i Shkodrës vijon të jetë një prej pikave më të vizituara turistike në veri të vendit. Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, Kalaja e Rozafës është vizituar nga më shumë se 160 mijë turistë vendas dhe të huaj.

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/



Të ndryshme
Më shumë