Si po përshtatet Shqipëria me ndryshimin teknologjik dhe si mund të kthehet teknologjia në vlerë reale për ekonominë, biznesin dhe qytetarët? Kjo është një nga pyetjet kryesore që sjell edicioni i katërt i Future2Tech, i cili zhvillohet më 24–25 shtator në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Panairi bashkoi kompani teknologjike shqiptare dhe ndërkombëtare, institucione publike, akademinë, startup-e, profesionistë dhe të rinj, duke krijuar një hapësirë për të diskutuar mbi inteligjencën artificiale, fintech, automatizimin, sigurinë kibernetike, aftësitë digjitale, investimet dhe të ardhmen e punës.
Fjala e hapjes së Future2Tech 2026 nisi me Enejda Shekun, themeluese e I-Exhibitions, dhe vijoi me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ministrin e Brendshëm Ervin Demo, zëvendësministrin e Mjedisit Gent Gazheli, CEO-n e Raiffeisen Bank Albania Silvio Chancaris dhe Drejtorin e Përgjithshëm të AKSK-së, Bledar Kazazi dhe kreu i AKKSHI Daniel Pirushi
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vuri në dukje praninë e kompanive ndërkombëtare në këtë edicion të panairit, përfshirë kompani nga Franca dhe Çekia, duke e lidhur këtë me një fazë të re të zhvillimit të ekosistemit teknologjik në Shqipëri.
“Kemi kompani çeke, franceze, që do të thotë se Shqipëria ka mbërritur në një tjetër kohë”, u shpreh Ibrahimaj, duke theksuar rëndësinë e ekspozimit të bizneseve shqiptare ndaj teknologjive, kompanive dhe modeleve të reja ndërkombëtare.
Një nga risitë e këtij edicioni është forcimi i lidhjes mes ofertës akademike dhe nevojave të tregut të punës. Për ministren Ibrahimaj, panairi është gjithashtu një mundësi për bizneset që të identifikojnë talentet e reja.
“Do t’i inkurajoja bizneset të shohin të rinjtë e shkollave që do të vizitojnë panairin”, tha ajo, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë mes të rinjve, institucioneve arsimore dhe kompanive.
Kjo qasje synon ta zhvendosë diskutimin për teknologjinë nga pajisjet dhe platformat drejt aftësive, punësimit dhe produktivitetit. Në një ekonomi ku Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi po ndryshojnë proceset e punës, lidhja mes arsimit dhe kërkesës së biznesit bëhet një element kyç për përgatitjen e fuqisë punëtore të së ardhmes.
Teknologjia po ndryshon edhe mënyrën se si funksionon shteti
Përtej sektorit privat, transformimi teknologjik po prek gjithnjë e më shumë edhe institucionet publike.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, theksoi se pjesëmarrja e Ministrisë së Brendshme në një panair të teknologjisë është një tregues i ndryshimit të rolit që teknologjia po merr në administratë dhe në shërbimet publike.
“Ministrat e Brendshëm nuk marrin pjesë, si traditë, në panaire të tilla, por teknologjia po bëhet e rëndësishme”, u shpreh Demo.
Në fokus të prezantimit të Ministrisë së Brendshme janë zgjidhjet teknologjike të përdorura për ofrimin e shërbimeve dhe rritjen e sigurisë, përfshirë teknologjitë e identitetit digjital, kamerat dhe zgjidhjet e përdorura nga Policia e Shtetit.
Sipas ministrit, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka edhe IdentiTek, kompani me 100% kapital shtetëror, e cila përfaqëson një nga komponentët e infrastrukturës teknologjike të shtetit shqiptar.
Prania e institucioneve publike në Future2Tech tregon gjithashtu se transformimi digjital nuk është më vetëm një çështje e kompanive të teknologjisë. Ai po bëhet pjesë e mënyrës se si shteti ofron shërbime, administron të dhënat dhe ndërvepron me qytetarët.
Një tjetër dimension i panairit është lidhja mes teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Gent Gazheli, zëvendësministër i Mjedisit, theksoi rëndësinë e bashkimit të informacionit, inovacionit dhe zgjidhjeve teknologjike në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Në këtë kontekst, teknologjia mund të luajë një rol të rëndësishëm në tranzicionin drejt ekonomisë qarkulluese, përmes përdorimit më eficient të burimeve, reduktimit të mbetjeve, ripërdorimit dhe riciklimit.
Përfshirja e dimensionit të qëndrueshmërisë në një panair të teknologjisë pasqyron një realitet të ri ekonomik: transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër po bëhen gjithnjë e më të ndërthurura.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Bledar Kazazi në fjalën e tij, theksoi se siguria kibernetike është tashmë një çështje e rëndësishme për bizneset, veçanërisht në kushtet e rritjes së përdorimit të teknologjisë dhe ekspozimit ndaj rreziqeve digjitale. Nga ana tjeter, në fjalën e tij, Daniel Pirushi, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), u ndal te roli i kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit në zhvillimin ekonomik, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së inovacionit me nevojat e biznesit dhe forcimit të bashkëpunimit mes sektorit publik, privat dhe akademisë.
Ndërsa Christian Chancaris , CEO i Raiffeisen Bank njoftoi një zhvillim të rëndësishëm për tregun shqiptar të aseteve digjitale, duke deklaruar se Raiffeisen Bank International dhe Bitpanda kanë firmosur një marrëveshje për përfshirjen e aseteve digjitale dhe kriptomonedhave në rrjetin e Raiffeisen Bank. Sipas Chancaris, Raiffeisen Bank Albania do të jetë banka e parë në Shqipëri që do të mundësojë ndërveprimin me asetet digjitale dhe kriptomonedhat, në partneritet me Bitpanda, në një mjedis të sigurt dhe të besueshëm dhe në përputhje me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian dhe legjislacionin vendas.
Nga ekspozimi i teknologjisë te krijimi i vlerës
Future2Tech 2026 synon të shkojë përtej ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve. Përmes Event Zone, Demo Zone, Media Zone, Gaming Zone dhe B2B Zone, panairi krijon mundësi për takime mes kompanive, investitorëve, institucioneve, akademisë dhe profesionistëve.
Në qendër mbetet një pyetje e përbashkët: si mund të përdoret teknologjia për të krijuar vlerë konkrete?
Për bizneset, kjo nënkupton produktivitet dhe konkurrueshmëri. Për punonjësit dhe të rinjtë, aftësi dhe mundësi të reja. Për institucionet, shërbime më efikase. Ndërsa për ekonominë, potencial për kompani të reja, investime dhe integrim më të madh me tregjet ndërkombëtare.
Future2Tech 2026 zhvillohet sot dhe neser në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke sjellë së bashku teknologjinë, biznesin, akademinë dhe institucionet në një platformë të përbashkët për të diskutuar të ardhmen e ekonomisë dhe shoqërisë.