Shkolla Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në fshatin Pllasnicë e ka nisur vitin e ri shkollor 2026/27 në kushte të mira për zhvillimin e procesit mësimor, por me një paralele më pak nga viti i kaluar.
Drejtori i shkollës, Riza Rexheposki, tha se në kuadër të projektit për optimizimin e rrjetit shkollor, të zbatuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, këtë vit është mbyllur një paralele në klasën e gjashtë.
Sipas tij, rënia e numrit të nxënësve vërehet edhe te regjistrimet e klasës së parë. Këtë vit janë regjistruar gjithsej 15 nxënës, një shifër dukshëm më e ulët në krahasim me 10 apo 20 vite më parë.
Sa i përket kushteve infrastrukturore, Rexheposki tha se mësimi zhvillohet në kushte normale dhe se shkolla disponon edhe një palestër moderne sportive, e cila shfrytëzohet për zhvillimin e lëndës së edukatës fizike.
Ai bëri të ditur gjithashtu se transporti për nxënësit është siguruar me kohë, ndërsa edhe tekstet shkollore janë shpërndarë në kohë për fillimin e vitit të ri shkollor.
Rexheposki vlerësoi si të mirë edhe bashkëpunimin me Komunën e Pllasnicës, e cila, sipas tij, i mbështet nevojat e shkollës.
Në kuadër të objektit të shkollës funksionon edhe çerdhja për fëmijë, e cila është pjesë e çerdhes “Ollga Micevska” nga Kërçova.