TV LIVE
Nga Bota
22 September 2026
Mediat amerikane bojkotojnë mbulimin e Trump, përplasje me Shtëpinë e Bardhë për aksesin e gazetarëv

Rrjetet kryesore televizive amerikane kanë pezulluar të hënën mbulimin e përbashkët të aktiviteteve të Presidentit Donald Trump, në shenjë proteste ndaj vendimit të Shtëpisë së Bardhë për t’u hequr aksesin disa organizatave mediatike.

Vendimi vjen pasi Shtëpia e Bardhë ndaloi CNN, Politico dhe MS NOW, duke i akuzuar për publikimin e raportimeve që administrata i konsideron “trillime ose gënjeshtra”. Organizatat mediatike i kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë vendimin në gjykatë.

Të hënën, mediat pjesëmarrëse në grupin që koordinon mbulimin televiziv të aktiviteteve presidenciale vendosën të mos kryejnë më mbulimin e përbashkët. Edhe New York Times dhe Washington Post thanë se nuk do të ndanin imazhe nga disa prej aktiviteteve të Trump.

Si pasojë, nuk pati pamje të përbashkëta televizive të Trump gjatë nisjes për në Nju Jork, ku ai do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Më herët, Shtëpia e Bardhë kishte transmetuar në kanalin e saj komentet e Trump gjatë një ceremonie në lëndinën jugore, por audioja e fjalimit nuk u dëgjua.

Ndërkohë, CNN, Politico dhe MS NOW kanë ngritur një padi në gjykatën federale në Uashington, duke argumentuar se vendimi i Shtëpisë së Bardhë kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për informacion të pavarur.

Përplasja vjen në një kohë kur administrata Trump dhe mediat amerikane janë përfshirë në debate të përsëritura mbi mënyrën e mbulimit të aktiviteteve presidenciale dhe aksesin e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.



Të ndryshme
Më shumë