TV LIVE
Nga Rajoni
21 September 2026
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, PDK propozon ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se Grupi Parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvend kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit. Sipas Hamzës, iniciativa vjen në kuadër të qëndrimit të PDK-së lidhur me zhvillimet në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Kosova po kalon ditë të rënda dhe qytetarët në vazhdimësi po protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale. Ky reagim i qytetarëve nuk mund të injorohet dhe as Kuvendi nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës”, tha Hamza.

Ai theksoi se Dhomat e Specializuara nuk janë krijuar përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i PDK-së theksoi se projektligji i propozuar nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara të Hagës.

“Kosova mori një vendim të vështirë dhe veproi me bindjen që nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt”, tha Hamza.

Sipas tij, nëse Kosova e krijoi këtë gjykatë me një mision të posaçëm, atëherë ky mision duhet të ketë një kufi.

“Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të përcaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, u shpreh ai.

PDK ka bërë të ditur se, krahas hapave të tjerë demokratikë dhe institucionalë, do të ndërmarrë edhe veprime konkrete ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Projektligji i dorëzuar synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Nisma mbështetet, sipas PDK-së, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.

PDK shprehet se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor. Përmes kësaj nisme, PDK kërkon që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Partia ka deklaruar gjithashtu se do të vijojë të ndjekë rrugët demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe për të kërkuar respektimin e standardeve të drejtësisë në fazat e mëtejshme të procesit.

Nisma e PDK-së vjen pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

/rtsh.al/



Të ndryshme
Më shumë