Jennifer Lopez është lënduar gjatë një performance në skenë, por incidenti nuk ka mjaftuar për ta ndalur këngëtaren. 57-vjeçarja vazhdoi shfaqjen dhe përfundoi performancën pavarësisht plagës.
Lopez po interpretonte këngën “Ain’t It Funny” kur pësoi një prerje në parakrah. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ajo shihet duke vijuar të këndojë ndërsa gjaku i rrjedh përgjatë krahut.
Këngëtarja nuk e ndërpreu këngën dhe e përfundoi numrin e saj në skenë, duke u marrë me plagën vetëm pasi mbaroi performanca.
Videoja, e filmuar nga një prej të pranishmëve në koncert, është shpërndarë me shpejtësi në TikTok. Personi që publikoi pamjet vlerësoi profesionalizmin e artistes, duke theksuar se incidenti nuk e pengoi atë të vazhdonte performancën.
“JLo tekstualiht u pre në skenë dhe vazhdoi të performojë si një mbretëreshë e vërtetë... Jennifer Lopez është MBRETËRESHË dhe një performuese jashtëzakonisht profesioniste”, shkroi ai krahas videos.
Në komentet e postimit, fansat kanë hedhur hipoteza të ndryshme për mënyrën se si mund të jetë lënduar këngëtarja. Disa kanë sugjeruar se prerja mund të jetë shkaktuar nga kostumi që ajo kishte veshur, i cili ishte i dekoruar me kristale, ndërsa të tjerë mendojnë se adrenalina e performancës mund ta ketë bërë që Lopez të mos e kuptonte menjëherë lëndimin.
Sipas raportimeve, incidenti ka ndodhur gjatë turneut “Up All Night”, në kuadër të të cilit Jennifer Lopez performoi gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 2025 në disa vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës.
Pas përfundimit të turneut, këngëtarja vijoi me një seri prej 12 koncertesh në Las Vegas, në sallën “The Colosseum” në Caesars Palace, nga dhjetori 2025 deri në mars 2026.
