Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Lushtaku e cilësoi Shasivarin si ministër të “koalicionit mes Mickoskit dhe Kurtit”, ndërsa i kërkoi atij të përqendrohet te përgjegjësitë e veta dhe te çështjet me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Postimi i plotë i deputetit Mërgim Lushtaku:
Një ministër i koalicionit mes Mickoskit dhe Kurtit në Maqedoninë e Veriut paska vendosur të na japë leksione për respektimin e vendimeve të gjykatave.
Ministrit i them: le të merret me punët e tij dhe me çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e të mos lëshohet në deklarata që ngjajnë sikur të jenë shkruar nga dora gjakatare e armikut.
Populli i Kosovës i ka shpallur çlirimtarët të pafajshëm. Edhe vendimi i 16 shtatorit duhet të jetë i tillë.
Dhe, në fund, ministrit po ia them edhe këtë: më mirë t’i thuash kryeministrit tënd, Mickoskit, të mos i kërkojë mikes së tij, Trendafilovës, të ushtrojë presion mbi trupin gjykues në Hagë për vendimin ndaj çlirimtarëve.
Ne do ta mbrojmë të vërtetën, dinjitetin dhe shtetin tonë, ashtu siç e mbrojtën gjeneratat para nesh.
Liri për çlirimtarët!