TV LIVE
Sport
11 September 2026
“Djajtë e kuq” kthehen me fitore/ United niset “me këmbën e mbarë” në Champions, Sabah bie 4-0

Kishin gjashtë vjet që nuk fitonin kaq thellë.

Mançester Junajtid u kthye në Ligën e Kampionëve pas një viti vonesë, duke shkatërruar 4-0 rivalin azerbajxhanas, Sabah, e duke I dhënë kënaqësi të madhe rreth 74 000 tifozëve në “Teatrin e Ëndrrave”, “Old Traford”.

Një skuadër që gjithë këta vite ka pasur ulje-ngritje, një sezon në Champions e një në Ligën e Europës, dëshiron të bëjë të harrohet sa më shpejt e kaluara e afërt, e ndoshta do t’ia dalë duke pasur në stol jo një emër të madh, por një ish-lojtar të shquar të klubit si Majkëll Karrik. 

Ish-nxënësi I Sër Aleks Fergusonit ndoshta do të rritet bashkë me ekipin e tij, e ndoshta “djajtë e kuq” do të jenë në ato nivele kur fituan dy herë “kupën me veshë”.

Ndaj Sabahut shënuan Mateus Kunja e Bruno Fernandes në pjesën e parë, si dhe Benzhamin Sheshko e Lisandro Martinez pas pushimit.

Epërsia ishte dërrmuese me 20 gjuajtje e 11 në kuadrat, ndaj asnjë të kundërshtarit që nuk ka aspak përvojë.

Kjo ishte fitorja e pestë e skuadrave angleze në pesë ndeshje në Champions këtë vit.

Më parë, fituan Aston Vila, Mançester Siti, Arsenali e Liverpuli.

Man. Junajtid u paraqit shumë dobët në Ligën e Kampionëve herën e fundit që ishte aty.

Në 2023-2024, mori vetëm 4 pikë në fazën e vjetër të grupeve, duke u mundur dy herë nga Bajerni, e nga një herë nga Kopenhageni e Gallatasaraji.

Shpresohet që këtë herë të shkojë më mirë.



Të ndryshme
Më shumë