TV LIVE
Nga Vendi
7 September 2026
TAKIMI I DEGËS SË BDI-SË NË KËRÇOVË ME DIASPORËN KËRÇOVARE NË ZVICËR: APEL PËR BASHKIM

Kryetari i Degës së BDI-së në Kërçovë, Dr. Arlind Sejdini, së bashku me Sekretarin e Sekretariatit për Diasporë, Shefki Sadiku, dhe Këshilltarin e Kryetarit Ali Ahmeti për SHBA, Shemsedin Beqiri, zhvilluan një takim me diasporën kërçovare në Zvicër.

Gjatë takimit u zhvillua një bashkëbisedim me të pranishmit, ku u diskutua për gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë te situata në Kërçovë.

Edhe pse takimi u organizua nga Dega e BDI-së në Kërçovë, në të nuk u vunë re simbole partiake, përveç flamurit kombëtar, duke synuar që tubimi të kishte një karakter më të gjerë dhe jo vetëm politik.

Një nga temat kryesore ishte rezultati i zgjedhjeve lokale të vitit 2025, në të cilat shqiptarët humbën drejtimin e Komunës së Kërçovës. Në këtë kontekst, u fol edhe për përçarjen e faktorit politik shqiptar dhe garën me tre kandidatë, duke u bërë apel për bashkim dhe tejkalimin e ndasive të së kaluarës.

Kryetari i Degës së BDI-së në Kërçovë, Dr. Arlind Sejdini, para të pranishmëve theksoi se qëllimi i tij ishte të informojë dhe të bashkëbisedojë me diasporën për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për situatën në Kërçovë.

Ai apeloi për bashkim dhe për hapjen e një faqeje të re, duke lënë pas përçarjet dhe duke u fokusuar në të ardhmen…..

Këshilltari i Kryetarit Ali Ahmeti për SHBA, Shemsedin Beqiri, foli për rolin e diasporës dhe kontributin e saj ndër vite, duke theksuar se mërgata i është përgjigjur nevojave të vendit sa herë që ka qenë e nevojshme….

Ndërsa Sekretari i Sekretariatit për Diasporë, Shefki Sadiku, foli për organizimin e mërgatës dhe për themelimin e strukturave partiake të BDI-së edhe në Zvicër….

Në fund, të pranishmit patën mundësi të bashkëbisedojnë me përfaqësuesit e BDI-së, duke ngritur çështje që lidhen me organizimin dhe përgatitjen e diasporës për zgjedhjet e ardhshme.

Gjatë diskutimit nuk munguan as kritikat për të kaluarën, me mesazhin se gabimet e bëra duhet të shërbejnë si mësim dhe të mos përsëriten në të ardhmen.,,,

Në fund të takimit u përcoll mesazhi se kërçovarët në Zvicër, ashtu si edhe në të kaluarën, duhet të jenë të bashkuar për çështjet madhore që lidhen me Kërçovën dhe të ardhmen e saj.



Të ndryshme
Më shumë