Klubi i Karatesë „Uskana“ nga Kërçova e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri të garave.
Në Kupën e Maqedonisë, e cila u zhvillua në Shkup dhe u organizua nga Federata e Karatesë së Maqedonisë, morën pjesë garuesit më të mirë nga klubet e vendit.
Kjo garë kishte karakter përzgjedhës, pasi fituesit e kategorive, të cilët triumfuan edhe në ndeshjet e play-off-it, do ta përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Botëror të Karatesë, i cili do të mbahet nga 14 deri më 18 tetor 2026 në Bielsko-Biała të Polonisë.
Klubi „Uskana“ në këtë garë u përfaqësua nga Veron Dervishi në kategorinë kata meshkuj – kadetë, Blerina Zendeli në kategorinë kata femra – juniore dhe Nuredin Dervishi në kategorinë kata meshkuj U-21. Të tre garuesit u udhëhoqën nga trajneri i tyre, prof. Nexhbi Dervishi.
Rezultati ishte maksimal: tre garues, tre vende të para dhe tri kualifikime për përfaqësuesen e shtetit.

Garuesit e „Uskanës“ arritën t’i mposhtin bindshëm kundërshtarët e tyre dhe siguruan të drejtën për të garuar në Kampionatin Botëror në Poloni, ku do të marrin pjesë sportistët më të mirë të karatesë botërore në kategoritë kadetë, juniorë dhe U-21.
Në këtë garë, në rolin e gjyqtares, ishte e deleguar edhe trajnerja e Klubit të Karatesë „Uskana“, Jetmira Dervishi.

Nga Klubi i Karatesë „Uskana“ u kanë uruar shumë fat dhe suksese garuesve të tyre në Kampionatin Botëror, me shpresën se do ta përfaqësojnë denjësisht Kërçovën dhe vendin dhe do të kthehen faqebardhë nga Polonia.