Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Holandë kanë marrë pjesë së bashku në “Embassy Festival 2026” në Hagë, ku kanë promovuar kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare.
Sipas Ambasadës së Kosovës në Hagë, në pavijonin e përbashkët u prezantuan gatime tradicionale, verëra vendore, si dhe muzikë e valle tradicionale shqiptare.
Gjatë festivalit, vizitorët patën mundësi të mësonin më shumë për kulturën dhe turizmin e Kosovës, si dhe të shijonin ushqime tradicionale dhe produkte vendore.
Në kuadër të programit artistik “Folk in Motion”, Ansambli “Dardanet” dhe Hajrjie Preniqi Gashi performuan valle dhe melodi tradicionale shqiptare të Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Hagë ka falënderuar ambasadorët, komunitetin diplomatik, si dhe të gjithë vizitorët që morën pjesë në festival dhe vizituan pavijonin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.