TV LIVE
Nga Rajoni
3 September 2026
Gju më gju me popullin/ Rama deputetëve: “Çdo të premte në orën 5, pa kamera e pa sekserë. Mos premtoni punë e favore!”

 

Kryeministri Edi Rama ka vendosur një rregull të ri për deputetët dhe drejtuesit socialistë: çdo të premte, në orën 17:00, ata duhet të jenë në territor për të dëgjuar drejtpërdrejt problemet e qytetarëve.

Gjatë adresimit publik për Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar, Rama prezantoi mënyrën se si do të funksionojë nisma “Prania Besnike”, duke theksuar se takimet nuk do të jenë mbledhje partie dhe as aktivitete propagandistike.

Sipas Ramës, procesi nis këtë të premte dhe orari do të jetë i pandryshueshëm: çdo të premte në orën 17:00, deputetët dhe përfaqësuesit socialistë duhet të jenë pranë qytetarëve.

“Çdo të premte në orën 5, të gjithë ne që jemi këtu do të jemi aty ku e kërkon ‘Prania Besnike’”, deklaroi Rama.

Por kryeministri vendosi edhe rregulla të forta për mënyrën se si do të zhvillohen takimet. Qytetarët do të dëgjohen individualisht, “ballë për ballë, tek për tek”, ndërsa deputetët duhet të mbajnë shënim shqetësimet e tyre dhe jo t’u shpjegojnë se çfarë ka bërë qeveria apo t’i bindin se e kanë gabim.

Një tjetër rregull është ai për kamerat. Rama kërkoi që takimet të mos shndërrohen në spektakël mediatik. Fotografitë mund të bëhen vetëm në fillim, me miratimin e të pranishmëve, ndërsa gjatë dëgjimit të problemeve të qytetarëve nuk do të ketë kamera.

Dyert, sipas kryeministrit, duhet të jenë të hapura për të gjithë, pavarësisht se cilën parti mbështesin apo për kë kanë votuar.

“Nuk ka asnjë rëndësi se i kujt partie je, nuk ka pikë rëndësie për kë ke votuar”, ishte mesazhi i Ramës.

“Mos bëni sekserin që merr drejtorët në telefon”

Një nga porositë më të forta të kryeministrit lidhej me ndërhyrjet e deputetëve pranë institucioneve. Rama kërkoi që ata të mos telefonojnë drejtorët për të zgjidhur individualisht problemet e qytetarëve.

Çdo shqetësim duhet të dokumentohet dhe t’i përcillet me shkrim institucionit përgjegjës, ndërsa deputeti duhet të ndjekë më pas mënyrën se si administrata e trajton atë.

Sipas Ramës, deputeti nuk duhet të kthehet në “sekser” mes qytetarit dhe shtetit.

Takimet e së premtes, theksoi ai, nuk duhet të përdoren as për të kërkuar vota, për të premtuar vende pune apo për të rekrutuar patronazhistë. Synimi është që përmes problemeve konkrete të qytetarëve të evidentohen institucionet dhe hallkat e administratës që nuk funksionojnë.

Rama e përmblodhi filozofinë e re me një vijë të prerë: partia nuk duhet të bëjë shtetin, deputeti nuk duhet të ndërmjetësojë favore dhe kryetari i partisë nuk është sportel punësimi.



Të ndryshme
Më shumë