TV LIVE
Nga Vendi
2 September 2026
Hetime për kredinë hungareze për Maqedoninë e Veriut

Autoritetet hungareze kanë hapur një hetim penal për abuzime të dyshuara në Bankën shtetërore Exim, përmes së cilës qeveria e Hristijan Mickoskit mori një kredi gjatë mandatit të ish-kryeministrit Viktor Orbán.

Ky është veprimi më i fundit i qeverisë së kryeministrit hungarez Péter Magyar në drejtim të shqyrtimit të dyshimeve për korrupsion në punën e bankës gjatë administratës së mëparshme, raporton media gjermane Deutsche Welle, transmeton Zhurnal.

Sipas Reuters, duke u bazuar në një njoftim nga policia hungareze, po hetohen katër raste që lidhen me Bankën Exim nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe keqmenaxhim. Ndër objektet e hetimit është edhe kredia prej një miliard eurosh e miratuar për Maqedoninë e Veriut, për të cilën Ministria e Ekonomisë në korrik dorëzoi kallëzim pas një auditimi të kryer në bankë.
Në kuadër të hetimit, hetuesit të hënën sekuestruan mijëra faqe dokumentacion të brendshëm nga Ministria e Ekonomisë.

“Këto dokumente janë siguruar gjatë hetimit të brendshëm dhe përmbajnë informacione shtesë të rëndësishme për shqyrtimin e veprave të raportuara,” thuhet në njoftimin e policisë.
Banka Exim, e cila deri në qershor të vitit 2022 ishte nën juridiksionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më pas kaloi nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Ekonomisë, deri më tani nuk është përgjigjur në kërkesat për koment.

Në hetim kushtet e kredisë për Maqedoninë e Veriut
Péter Magyar, i cili në zgjedhjet e prillit i dha fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbánit, premtoi luftë kundër, siç pretendon ai, korrupsionit të përhapur gjerësisht në institucione gjatë qeverisë së mëparshme. Orbán në disa raste i ka hedhur poshtë këto akuza.

Në korrik, Ministria e Ekonomisë i dorëzoi policisë katër lëndë që lidhen me funksionimin e Bankës Exim. Njëra prej tyre i referohet kredisë për Maqedoninë e Veriut, e miratuar me një normë interesi prej 3.25 për qind dhe me garanci të plotë shtetërore.

Sipas Magyar, ekziston dyshimi se mjetet e destinuara fillimisht për mbështetjen e kompanive hungareze janë përdorur për forcimin e aleatëve politikë të huaj, ku mund të kenë pasur përfitime edhe firma të afërta me qeverinë e mëparshme.

Ku përfunduan mjetet nga kredia hungareze?

Mjetet nga linja e kreditimit hungarez janë pjesë e huasë që Qeveria e Maqedonisë së Veriut e siguroi nga Hungaria. Marrëveshja u nënshkrua më 8 tetor në Budapest.

Në total, 250 milionë euro janë plasuar direkt në ekonominë vendase për mbështetjen e zhvillimit dhe investimeve. 250 milionë euro shtesë janë destinuar për financimin e projekteve në komunat.
Përmes thirrjeve publike të Qeverisë, këto mjete janë drejtuar drejt projekteve kapitale dhe infrastrukturore nëpër komunat e Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për mbi 18 miliardë denarë të destinuara për ndërtimin dhe rikonstruksionin e kopshteve të fëmijëve, shkollave, sallave sportive dhe rrugëve lokale, si dhe për ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit në Kumanovë.

Kryeministri Hristijan Mickoski më parë vlerësoi se mjetet do të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe përshpejtimin e realizimit të projekteve zhvillimore në nivel lokal.

Nën verifikim edhe projekte të tjera të financuara nga Banka Exim

Një nga rastet që është gjithashtu subjekt i hetimit i referohet një projekti infrastrukturor në Afrikë. Sipas Magyar, Banka Exim dhe Banka Hungareze për Zhvillim kanë siguruar garanci për financim me vlerë 126 miliardë forinta, respektivisht rreth 398 milionë dollarë.
Autoritetet hungareze paralajmërojnë një verifikim të thellë të të katër rasteve me qëllim që të përcaktojnë nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe nëse mjetet shtetërore janë përdorur në përputhje me qëllimin e tyre.
Verifikimet e kredive të miratuara përmes Bankës Exim u paralajmëruan që në muajin korrik. Interesimi për rastet është veçanërisht i madh pasi banka është në pronësi të plotë shtetërore.

Çfarë është Banka Exim?

Banka Exim u themelua me ligj të parlamentit hungarez në vitin 1994 me qëllim që të mbështesë tregtinë e jashtme dhe eksportin e kompanive hungareze.
Banka funksionon në një sistem të integruar së bashku me kompaninë hungareze për sigurimin e kredive të eksportit MEXSIB. Misioni i tyre i përbashkët është mbështetja e eksportuesve hungarezë përmes ruajtjes së vendeve të punës, nxitjes së punësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve eksportuese të Hungarisë. Të dyja institucionet punojnë nën markën e përbashkët EXIM. përcjell  Zhurnal.mk .



Të ndryshme
Më shumë