TV LIVE
Nga Vendi
1 September 2026
NË KËRÇOVË NIS VITI I RI SHKOLLOR, 317 NXËNËS ULEN PËR HERË TË PARË NË BANKAT SHKOLLORE

Si në mbarë vendin, edhe në Komunën e Kërçovës ka filluar viti i ri shkollor 2026/2027. Këtë vit, në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Kërçovës janë regjistruar gjithsej 317 nxënës të klasave të para, të cilët për herë të parë ulen në bankat shkollore.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, vizitoi disa shkolla fillore, si dhe dy shkollat e mesme të qytetit.

Nga SHF “Rexhë Rushit Zajazi”, Jovanovski përcolli urimet e tij për të gjithë nxënësit, duke u dëshiruar një vit të suksesshëm shkollor. Ai theksoi se Komuna e Kërçovës do të jetë gjithmonë pranë nxënësve dhe shkollave, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit arsimor.

Jovanovski foli edhe për numrin e nxënësve të regjistruar në klasat e para, duke shprehur keqardhje për faktin se ky numër çdo vit është në rënie.

I pyetur për prosin e mbylljes së shkollave rurale, kryetari Jovanovski tha se deri më tani në Komunën e Kërçovës nuk është mbyllur asnjë shkollë. Megjithatë, ai theksoi se nëse vazhdon rënia e numrit të nxënësve, do të duhet të përshtaten edhe me procesin e racionalizimit, me qëllim që kjo të jetë në të mirë të nxënësve dhe procesit arsimor.

Ndërkohë, drejtoresha e SHF “Rexhë Rushit Zajazi”, Merita Ahmedi, tha se viti i ri shkollor në këtë shkollë ka filluar pa probleme të theksuara. Ajo bëri të ditur se këtë vit në klasën e parë janë regjistruar 28 nxënës.

Ahmedi tha gjithashtu se gjatë vizitës së kryetarit të Komunës i kanë paraqitur edhe disa nga problemet me të cilat përballet shkolla, duke shpresuar se ato do të zgjidhen në periudhën në vijim.



Të ndryshme
Më shumë