Islam Selmani ka siguruar medaljen e shtatë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi është kualifikuar në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë në karate.
Karateisti kosovar ka zhvilluar paraqitje të shkëlqyeshme në Taranto, duke arritur deri në sfidën e fundit dhe duke i siguruar Kosovës të paktën medaljen e argjendtë.
Kjo është medalja e parë e Kosovës në karate në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare dhe e shtata në total.
Tashmë, të gjitha vëmendjet janë te finalja, ku Selmani do të kërkojë ta kurorëzojë paraqitjen e tij me medaljen e artë.
Suksesi në Taranto vjen pas një periudhe të jashtëzakonshme për 21-vjeçarin.
Selmani është nënkampion bote në kategorinë deri në 60 kilogramë, pasi në vitin 2025 fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të mbajtur në Kajro. Me këtë rezultat, ai u bë karateisti i parë kosovar që fitoi medalje të argjendtë në një Kampionat Botëror.
Selmani është pjesë e ekipit kosovar të karatesë në “Taranto 2026”, ku Federata e Karatesë së Kosovës ka dërguar nëntë sportistë.
Ekipi kosovar udhëhiqet nga selektori Isak Curri, ndërsa Selmani ishte një prej kandidatëve kryesorë për medalje para nisjes së garave.
Kosova deri më tani ka fituar shtatë medalje në këto Lojëra Mesdhetare. Donjeta Sadiku ka fituar të artën në boks, Laura Fazliu të argjendtën në xhudo, ndërsa Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj kanë fituar medalje të bronzta.
Tashmë, Islam Selmani është vetëm një luftë larg medaljes së artë dhe mundësisë për ta shkruar emrin në historinë e sportit kosovar.